Në Ambasadën e Luksemburgut në Prishtinë u mbajt pritja zyrtare për hapjen e festivalit të teknologjisë dhe inovacionit DOKU.TECH 2025

Në ambientet e Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, u mbajt sot pritja zyrtare për hapjen e edicionit të sivjetshëm të festivalit të teknologjisë dhe inovacionit DOKU.TECH 2025, e organizuar në bashkëpunim me The Foundation House (ish-IPKO Foundation).
Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore, partnerëve ndërkombëtarë, organizatave të teknologjisë dhe folësve kryesorë të festivalit, në një mbrëmje që shënoi fillimin e dy ditëve të dedikuara inovacionit, kreativitetit dhe bashkëpunimit në fushën e teknologjisë në Kosovë.
Në fjalimet e tyre përshëndetëse, Ambasadorit të Luksemburgut në Kosovë, z. Erik Dietz:
"Inovacioni, përfshirja dhe qëndrueshmëria janë të domosdoshme për ndërtimin e të ardhmes digjitale të Kosovës ", dhe Abetare Gojanit, Drejtoreshës Ekzekutive të The Foundation House, “Me kalimin e viteve, DOKU.TECH është rritur nga një ngjarje në një lëvizje, një lëvizje që bashkon mendje kurioze, mendimtarë të guximshëm dhe zgjidhës problemesh që besojnë në fuqinë e teknologjisë për të transformuar jetën”. U theksua rëndësia e partneriteteve ndërkombëtare dhe përkushtimi për të forcuar ekosistemin e inovacionit dhe edukimit digjital në Kosovë.
Pas kësaj ceremonie hapëse, festivali DOKU.TECH 2025 do të vazhdojë me programin dyditor që do të mbahet më 23 dhe 24 tetor në Tech Park Prishtina, duke nisur me ceremoninë zyrtare të hapjes më 23 tetor, në orën 12:00.
Programi i këtij viti përfshin fjalime kryesore nga ekspertë ndërkombëtarë, panele tematike mbi inteligjencën artificiale dhe të ardhmen digjitale, workshope interaktive, ekspozitën Bodyright në bashkëpunim me UNFPA Kosovë, si dhe DIY Fair – një hapësirë ku studentë, startup-e dhe organizata do të prezantojnë projektet e tyre inovative.
Në ditën e dytë, DOKU.TECH do të sjellë ushtrime kibernetike të organizuara nga CRDF Global, masterklasën mbi inteligjencën artificiale nga Open Data Kosovo, panelin “The Future is Calling” të mbështetur nga Swisscontact dhe SDC, si dhe diskutimin “Youth, Tech and the Future of Europe” të mbështetur nga Erste Foundation.
DOKU.TECH 2025 zhvillohet në kuadër të nismës October Tech Kosovo, nën patronazhin e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, dhe realizohet në bashkëpunim me partnerë strategjikë.
















































