LAJMI I FUNDIT:

​Në 40-vjetorin e vrasjes përkujtohen veprimtarët Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka

​Në 40-vjetorin e vrasjes përkujtohen veprimtarët Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka

Sot me një akademi rasti u shënua 40-vjetori i vrasjes së veprimtarëve të çështjes kombëtare vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalën e saj kujtoi veprimtarinë e tyre 40 vite më parë, derisa ajo u ndërpre nga atentati i UDB-së serbe. Për më tepër ajo tha se tre heronjtë vdiqën me mall për Kosovën.

“Dyzet vjet me parë aktiviteti i tyre u ndal dhunshëm, por ata inspiruan shumë pas tyre. Tre heronjtë tanë u vranë nga UDB-ja e Serbisë. Sot përkulemi para tyre dhe jemi falënderues. Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu ishin kalitur me idenë e Kosovës Republikë. Prandaj Jusufi, Bardhoshi e Kadriu janë konsistentë dhe i kanë mbijetuar shumë zhvillimeve si patriotë e kishin të qartë se liria nuk është individuale. Në një letërkëmbim me shokët e burgut, lirinë e kishin të qartë. Të tre heronjtë u shuan me mall për Kosovën”, tha Osmani.


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se janë mbledhur për të kujtuar veprën e tre heronjve.

“Liria e Kosovës ka qenë ëndrra e përjetshme dhe përditshme e tyre. Ky vit shënon 40-vjetorin e atentatit nga UDB afër Shtutgartit në Gjermani. Vrasësit vazhdojnë të mos dihen edhe pse organizatori dihej që në fillim UDB-ja gjakatare. Besoj se ne këtu e ndajmë se shtet-ndërtimi ose më mirë për virtytin e shtet-ndërtimit është ajo marrëdhënie që duhet punuar. Në një përkujtim heroi, por atë si shtet-ndërtues si çlirimtarë. E kësaj here jemi mbledhur të kujtojmë dikë që na i ka lënë gjithë gjurmët. Këtu jemi për të kujtuar Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën”, tha Kurti.

Një fjalë rast në këtë akademi mbajti edhe e mbesa e Jusuf Gërvallës, Nora Gërvalla, e cila jeton në Gjermani. Ajo tha se nuk ka pasur mundësi ta njohë gjyshin e saj, por ai do të mbetet një shembull për të gjithë.

“Unë nuk e kam njohur gjyshin tim, gjyshi im për mua është shembull, ka luftuar për lirinë. Pjesën më të madhe të jetës kam kaluar në Gjermani, por Kosovën e marr kudo që shkoj me vete”, tha ajo.

Në këtë akademi u lexua edhe një letër e bashkëshortes së Kadri Zekës, Saime Isufi, e cila nuk ishte e pranishme në pamundësi të udhëtimit në Kosovë.

“Ndihem e privilegjuar t’ju drejtohem me anë të kësaj letre. Jo rastësisht UDB-ja qëlloi mbi ta duke hapur propagandën se kanë vrarë njëri-tjetrin. Kadriu dhe vëllezërit Gërvalla i kujtuam dhe do t’i kujtojmë. Veprimtaria e tyre duhet të jetë shembull kundër armikut tonë. Veprimtaria e tyre duhet të jetë shembull edhe për politikanët tanë që shpesh nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për ngjarje madhore”, thuhet në letër.

Akademia u përmbyll me një program artistik në kujtim të tre veprimtarëve të çështjes kombëtare.

Ndryshe, më 17 janari 1982 u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Atentati mbi vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre.

Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova. Atentati ka ndodhur, përderisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit.

Në mot me borë, diku në 40 metrat e para vetura ka ndaluar pasi që nga një vend ndërtim në anë të djathtë, një person nga një distancë prej tre metrave ka shtënë. Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe iu ka afruar asaj për të vërtetuar se ia kanë arritur qëllimit.

Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i shohin dy persona të gjinisë mashkullore duke ikur. Vetura ka mbetur e ndezur, pasi që Bardhoshit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit. Si pasojë e kësaj, vetura ka vazhduar më tutje të ecën derisa përplaset me një garazhe.

Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.

Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”. Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime.

Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë “Ka qenë UDB-ja”.

Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: “E tëra dukej si pas një ekzekutimi”.

Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hubner: duhet qëlluar me katër plumba, “tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse”.

Koha dhe atentati ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në ato vite.

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori