Shoqata Angleze e Futbollit (FA) po shqyrton një propozim që do të përfshinte edhe klubet që përfundojnë në vendin e shtatë dhe të tetë në play-off-et për ngjitjen në Ligën Premier.

Ideja ka mbështetjen e shumicës së klubeve dhe parashikon që numri total i ndeshjeve në sezon të mbetet 49, pa ndryshuar nga sistemi aktual.


Sistemi aktual lejon që ekipet në vendin e tretë, të katërt, të pestë dhe të gjashtë të luftojnë për vendin e tretë për Ligën Premier, ndërsa dy ekipet e para ngjiten direkt. Sipas propozimit të ri, dy ekipet e para vazhdojnë të ngjiten direkt, ndërsa vendet e treta dhe të katërta presin fituesit e çerekfinaleve.

Në çerekfinale, skuadra e vendit të pestë do të luajë kundër skuadrës së vendit të tetë, ndërsa vendi i gjashtë do të ndeshet me vendin e shtatë. Fituesit kalojnë në gjysmëfinale ku vendi i tretë do të presë fituesin e duelit të vendit të gjashtë dhe të shtatë, ndërsa vendi i katërt do të presë fituesin e ndeshjes së vendit të pestë dhe të tetë.

Një ndryshim tjetër i rëndësishëm është se gjysmëfinalet nuk do të luhen më me dy ndeshje, gjë që lejon maksimumi tre ndeshje shtesë dhe ruan numrin total të takimeve të sezonit. Kjo gjithashtu rrit mundësinë që edhe skuadra e vendit të tetë të ketë një shans për të fituar finalen e play-off-it – ndeshja më e vlefshme e futbollit botëror – ku çmimi është një vend në Ligën Premier, vlerë e afërsisht 200 milionë euro.

FA argumenton se ky model do të rrisë pasigurinë dhe emocionin në play-off, duke zgjeruar luftën për ngjitje në më shumë pozicione dhe duke sjellë më shumë interes për tifozët. Rregullat e reja mund të hyjnë në fuqi që në sezonin 2026/2027.

/Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app