Ndotje alarmante e ajrit në Ohër, vërehet prani e lartë e grimcave helmuese

Ohri ka filluar të ngjajë me Shkupin, i cili prej vitesh është në krye të listës së qyteteve më të ndotura në Evropë dhe botë. Nga nisma qytetare “Ohri po mbytet”, thonë se gjendja është alarmante dhe se qyteti shpesh është më i ndoturi në rajon, edhe pse është qytet pa industri të zhvilluar, pa transport urban dhe pa termocentrale. Sipas kësaj nisme matjet tregojnë se grimcat PM 2.5 dhe PM 10 janë rritur madje 10 deri 20 herë.
“Qytet me ndërtime pa leje. Ohri po shkatërrohet. Përgjigje askund. Arsyeja e vetme pse ky numër i vogël i banorëve mbeti në Ohër, ishte ajri i pastër”, thonë nga Nisma “Ohri po mbytet”. Mjekët thonë se vitet e fundit është rritur mbi 5 herë numri i pacientëve me sëmundje të organeve të frymëmarrjes.
“Shumë shpesh kemi pacientë me probleme kronike të mushkërive, që më parë nuk i kishim, por fatkeqësisht tani i kemi tepër. Ka rritje të madhe si te fëmijët ashtu edhe te popullata e rritur. Tani kur ajri është i ndotur, në vend që t’u themi hapni derën ose dritaren që të pastrohet ajri, ne u themi mbyllni që të mos hyjnë ato grimca të dëmshme dhe të mos e përkeqësojnë situatën”, deklaroi Violeta Mickoska – mjeke.
Analizat që në vitin 2024 i bëri sektori komunal për mbrojtjen e mjedisit pranë Komunës së Ohrit, janë shqetësuese. Ekspertët vlerësojnë se një nga arsyet është edhe urbanizimi i tepruar.
“Ata që janë pak më të moshuar kujtojnë se kjo ndodhte edhe më parë, veçanërisht pasi filloi ndërtimi i pa planifikuar i ndërtesave të larta. Ato ndërtesa që u projektuan dhe u ndërtuan në rreshtat e parë, më afër liqenit të Ohrit, pengojnë atë lëvizje të ajrit që vinte drejt qytetit dhe lagjeve. Nga veriu, nga deponia e Bukovës, kemi ajër të ndotur, tym dhe smog, që pozicionohet mbi qytetin e Ohrit, kështu që njerëzve u vështirësohet shumë frymëmarrja”, tha Trajçe Taleski – aktivist ekologjik.
Por autoritetet thonë se trafiku, përdorimi i llojeve të ndryshme të karburanteve dhe drurit për ngrohje shkaktojnë ndotjen më të madhe, sidomos në dimër. Pushteti komunal thotë se po merr të gjitha masat, përmes kontrolleve të bizneseve dhe personave fizikë që djegin materiale të papërshtatshme./Alsat/










































