Ndezet flakadani i manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2026” në Gjilan

Me ndezjen simbolike të flakadanit është hapur zyrtarisht Manifestimi Kulturor Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2026” në Gjilan, i cili i kushtohet kujtimit dhe nderimit të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit ndër breza.
Hapja e manifestimit u shënua me një defile simbolik të të rinjve në qendër të qytetit, ndërsa ceremonia qendrore dhe ndezja e flakadanit u zhvilluan në platonë e Teatrit të Qytetit.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues institucionalë, si dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta.
Programi artistik u pasurua me interpretimet e Orkestrës Frymore “Selman Vokshi”, e cila prezantoi vepra të përzgjedhura nga kompozitorë shqiptarë, duke i dhënë ceremonisë një dimension solemn dhe artistik.
Manifestimi “Flaka e Janarit 2026” do të zgjasë deri më 31 janar dhe do të përfshijë një sërë aktivitetesh në katër shtyllat kulturore: artet pamore, letërsinë, artet skenike dhe muzikën.
Gjatë kësaj periudhe, në Gjilan pritet të mblidhen artistë dhe artdashës nga e gjithë hapësira shqiptare. /Telegrafi/



















































