Në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Zahir Pajaziti” në Orllan, një institucion me histori që nga viti 1961, është bërë një hap i rëndësishëm për komunitetin dhe arsimin lokal: brenda ambientit të shkollës është vendosur çerdhja për fëmijët nga mosha 1 deri në 5 vjeç.

Ky investim i komunës ka për qëllim lehtësimin e jetës së familjeve të fëmijëve të moshave të vogla, duke i ofruar mundësi për kujdes afër shtëpisë dhe pa nevojën për të udhëtuar në vende të tjera.


Ndërtimi i çerdhes në aneksin e shkollës “Zahir Pajaziti” është një përparim i dukshëm në ofrimin e shërbimeve arsimore dhe sociale në këtë zonë.



Drejtori i shkollës, Naim Bajrami, tregon për Telegrafin zhvillimet që po realizohen me përkushtim.

Naim Bajrami, drejtori i Sh.f.m.u "Zahir Pajaziti" n\u00eb Orllan

“Përveç kabineteve të fizikës, kimisë, biologjisë, arkivit të shkollës, muzikës, muzeut dhe kabinetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, risia më e madhe është ndërtimi i çerdhes në aneksin e shkollës ‘Zahir Pajaziti’. Ky investim është një ndihmesë e madhe për familjet e fëmijëve të moshës 1-5 vjeç, të cilët tashmë kanë mundësi të marrin kujdesin e duhur brenda komunitetit tonë”, shprehet ai.

Përveç çerdhes, janë bërë edhe përmirësime të tjera në ambientet shkollore, si rrethojat e reja dhe krijimi i klasave verore, duke përmirësuar cilësinë dhe mundësitë e mësimdhënies.

Në hapësirat e shkollës ndodhen gjithashtu fotografi dhe simbole që nderojnë heroin kombëtar Zahir Pajaziti, duke ruajtur lidhjen e fortë midis arsimit dhe historisë së kombit.

Drejtori Bajrami thekson se gjatë mandatit të tij të dytë do të vijojnë përpjekjet për ngritjen e cilësisë së arsimit, që tashmë është në një nivel shumë të kënaqshëm.

Në kuadër të këtij institucioni veprojnë edhe degë në fshatrat përreth, duke shërbyer qindra nxënës të komunitetit. /Telegrafi/