LAJMI I FUNDIT:

Ndërpritet për një muaj qarkullimi i automjeteve të rënda në rrugën Gërlicë e Epërme-Shtërpcë-Brezovicë

Ndërpritet për një muaj qarkullimi i automjeteve të rënda në rrugën Gërlicë e Epërme-Shtërpcë-Brezovicë
Foto: Ilustrim

Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit njofton se nga data 12 qershor e deri më 11 korrik, për shkak të zhvillimit të punimeve në projektin “Rehabilitimi i rrugës regjionale R-115 Gërlicë e Epërme-Shtërpcë-Brezovicë dhe rruga R-210 Brezovicë-Qendra e Skijimit” (realizimit të murit mbrojtës në segmentin rrugor nga Ura e Hekurit në fshatin Firajë e deri në fshatin Drajkovc), përkohësisht do të ndërpritet qarkullimi i mjeteve të rënda/kamionëve në segmentin rrugor Ura e Hekurit në fshatin Firajë e deri në fshatin Drajkovc.

Gjatë kësaj periudhe, të gjithë pjesëmarrësit që kalojnë me mjete të rënda-kamionë në këtë segment rrugor, janë të obliguar të qarkullojnë, përmes rrugës alternative regjionale R-115 Prizren-Prevallë-Brezovicë-Shtërpcë dhe anasjelltas, ndërsa mjetet e lehta do të mund të qarkullojnë, përmes rrugës nëpër fshatin Firajë.

Ministria e Infrastrukturës, kërkon mirëkuptim nga të gjithë pjesëmarrësit që kanë planifikuar të kalojnë më këto mjete në këtë segment rrugor, gjatë kësaj periudhe. /Telegrafi/