Ndërprerje e papritur e energjisë elektrike në QKUK, megjithatë shërbimet esenciale po funksionojnë normalisht

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se sot rreth orës 11:50, ka ndodhur një ndërprerje e paplanifikuar e furnizimit me energji elektrike, si pasojë e një defekti jashtë hapësirave të QKUK-së.
Sipas informacioneve të marra nga KEDS, defekti ka ndodhur jashtë infrastrukturës së spitalit, ndërsa menjëherë pas ndërprerjes, gjeneratorët rezervë në të gjitha klinikat me ndjeshmëri të lartë janë aktivizuar automatikisht.
Falë këtij sistemi të reagimit të menjëhershëm, puna në QKUK dhe ofrimi i shërbimeve shëndetësore nuk është ndërprerë asnjë moment.
“Situata aktualisht është plotësisht nën kontroll dhe të gjitha shërbimet esenciale po funksionojnë normalisht”, ka njoftuar ShSKUK.
Përjashtim përbëjnë vetëm ambulancat specialistike, ku për shkak të mungesës së energjisë elektrike, sistemi elektronik nuk është funksional përkohësisht. /Telegrafi/

















































