Ndahet votimi për shpalljen e rezultateve në KQZ, VV nuk e votoi Listën Serbe, Radoniqi: S’ka kuptim kjo punë

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është ndarë procesi i votimit për shpalljen e rezultateve zgjedhore, pasi anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se nuk do të votojnë për Listën serbe, ndërsa anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës njoftoi se do të abstenojë.
Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, para hedhjes në votim të shpalljes së rezultateve, deklaroi se do të votojë kundër Listës serbe dhe kandidatëve të saj individualisht.
Pas këtyre deklarimeve, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se duhet të ndahet votimi për Listën Serbe dhe për Partinë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), për të cilën ishte paraqitur ankesë se nuk ka respektuar kuotën gjinore.
Anëtarët e KQZ-së votuan për shpalljen e rezultateve për të gjitha subjektet e tjera politike, me përjashtim të Listës serbe dhe KDTP-së.
Megjithatë, Radoniqi e hodhi në votim edhe Listën serbe e cila mori vetëm tri vota pro, dy kundër dhe tjerat abstenime.
Pas përfundimit të votimit, Radoniqi u shpreh: “M’falni, po s’ka kuptim kjo punë”.
Ndërkohë, për shpalljen e rezultateve për KDTP-në votuan pro nëntë anëtarë të KQZ-së.
Radoniqi bëri të ditur se subjektet politike dhe kandidatët e pakënaqur me shpalljen e rezultateve kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) brenda 48 orëve, nga ora 11:00 e ditës së sotme deri në orën 11:00 të ditës së hënë. /Telegrafi/













































