Sopranoja e shquar, Luiza Çako, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike që do të mbetet përjetësisht një shenjë e vyer në artin shqiptar.

Ajo ishte bashkëshortja e legjendës së muzikës operistike, Gaqo Çako, dhe nëna e kantautorit të njohur Pirro Çako.


Luiza Çako u shqua për talentin e saj të rrallë, përkushtimin e palodhur në skenë dhe kontributin e jashtëzakonshëm që i dha artit shqiptar, duke lënë një boshllëk të madh në skenën operistike dhe më gjerë. Trashëgimia e saj do të mbetet frymëzim për gjeneratat e ardhshme të artistëve.

Foto: Luiza Çako (Screenshot)

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansambli Popullor reaguan menjëherë për ndarjen e saj nga jeta, duke e përshkruar Luiza Çakon si një nga personalitetet më të vyera të muzikës shqiptare.

Në reagimin e tyre u theksuan rolet e shumta që ajo interpretoi gjatë karrierës së saj të gjatë dhe të spikatur.

Foto: Luiza Çako (Screenshot)

Të prekur nga lajmi i ndarjes nga jeta të artistes së madhe, Luiza Papa Çako, një prej zërave më të bukur dhe personaliteteve më të vyera të muzikës shqiptare.

E lindur në Tiranë më 14 qershor 1937, ajo u formua në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe më pas në Konservatorin “P. I. Çajkovski” në Moskë, duke u kthyer në një prej solisteve më të spikatura të Teatrit të Operës dhe Baletit, ku shërbeu nga viti 1956 deri në vitin 1983.

Me një repertor të gjerë e të larmishëm, që nga muzika popullore deri te veprat operistike më të mëdha, Luiza Papa i dha jetë dhjetëra roleve, duke mbetur e paharruar në kujtesën e publikut shqiptar.

Ndër rolet e saj spikasin Flora e Anina në La Traviata, Lola në Cavalleria Rusticana, Norina në Don Pasquale, Musetta në La Bohème, Susanna në Dasma e Figaros, Mamica në Skënderbeu, Dava në Mrika dhe shumë të tjera që kanë lënë gjurmë në historinë e repertorit operistik shqiptar dhe ndërkombëtar.

Përveç skenës së TKOBAP-së, ajo mori pjesë në festivale, koncerte e turne brenda dhe jashtë vendit, duke lënë gjurmë në jetën muzikore shqiptare për dekada me radhë.

Në këtë moment të dhimbshëm, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët të cilët kanë pasur mundësinë të punojnë me të.

Qoftë i paharruar kujtimi i saj! – shkruhet në reagimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. /Telegrafi/