LAJMI I FUNDIT:

Ndahet nga jeta ish-kryebashkiaku socialist i Elbasanit

Ndahet nga jeta ish-kryebashkiaku socialist i Elbasanit

Është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare, ish-kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini.

Bëhet me dije se ish-kryebashkiaku socialist, vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë të cilës nuk i mbijetoi dot.

Qazim Sejdini ka qëndruar në krye të Bashkisë Elbasan për 3 mandate, nga viti 2007 deri në vitin 2019

Qazim Sejdini lindi në Elbasan në 12 shkurt të 1951. Pasi ndoqi shkollën e mesme “Jeronim De Rada”, vazhdoi edukimin e tij të lartë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, nga viti 1968 në vitin 1970, në degën e Edukimit Fizik.

Në vitet 1973-1978 vazhdoi studimet e larta në Universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit, në degën Histori-Gjeografi. Në vitet 1983-1987, ai ndoqi studimet në Institutin e Edukimit Fizik, Vojo Kushi, në Tiranë.

Në 1970 Sejdini kreu shërbimin ushtarak, më pas në 1973 ai punoi si mësues historie, gjeografie dhe edukimi fizik në shkollën 9-vjeçare të Labinot Mal-it.

Më pas në vitin 1974, ai u bë instruktori i Komitetit të Rinisë në Elbasan. Në vitet 1983-1992 ai punoi në Sport Klub Elbasani, fillimisht si inspektor i lojrave me dorë e më pas ai zuri vendin e Shefit të Klubit të Sportit te Elbasanit.

Në 1995 Sejdini u zgjodh President i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Elbasanit. Një vit më vonë ai u zgjodh President i Shoqatës së Doganierëve të Shqipërisë dhe nga maji i 2002 deri në maj 2004 ai ishte President i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Në tetor 2002 deri në maj 2005 ai u zgjodh Prefekt i Prefekturës së Elbasanit.