Seanca ka filluar me gjysmë ore vonesë.

Sot pritet që mbrojtjen ta paraqesë Besnik Berisha, avokati i Naser Kelmendit.


Të premten pasi iu lexua aktakuza Kelmendi u deklarua i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.

Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Në seancën e kaluar më 16 janar, Kelmendi i konsideroi këto akuza prodhim boshnjak.

“Këto akuza janë prodhim nga Bosnja. Pres nga gjykata ta vërtetojë pafajësinë time”, tha para tri ditësh Kelmendi.

Ai është duke u kërkuar nga shteti boshnjak pasi edhe atje akuzohet krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Por Kelmendi nuk mund të ekstradohet në Bosnjë, pasi shteti boshnjak nuk ka pranuar ende pavarësinë e Kosovës dhe mes këtyre dy vendeve nuk ka marrëveshje dypalëshe ekstradimi.

Kelmendi u arrestua më 6 maj 2013, në bazë të një urdhërarrestit ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet boshnjake dhe që nga atëherë ndodhet në paraburgim. /Kallxo.com/