LAJMI I FUNDIT:

Naim Frashëri dhe Walt Whitman

Naim Frashëri dhe Walt Whitman

Nga: Natasha Lako

Në hyrjet kryesore të stacionit të metrosë së Dupont Circle në Washington D.C., nga punëtorët nëpër skela të lartësive që kushedisekur, kanë mbetur të gdhendur vargje të Uollt Uitmanit (Walt Whitman) që flasin për lumturinë dhe dhimbjen. Ndoshta në nderim të kujtimeve, kur si vullnetar, ky poet botëror shërbeu për të plagosurit e Luftës Civile në një spital, mundet aty pranë.

Në Shqipëri nuk gjendet ndonjë varg naimian i gdhendur diku, thua se mund të shkruhet dhe të fshihet nëpër tabelat e dërrasave të zeza shkollore ose në ekranet e tabloideve fëminore… Sepse poezia e Naimit ngulitet në kokë në vegjëli. Dhe kaq.


Të dy i takojnë një shekulli. Atij të trenit, makinës me avull, shtypshkronjave, vështrimit nga Europa, shpërbërjeve të pazakonta të periferive të pushteteve dhe betejave kundër skllavërimit që nuk shter.

Të dy përcaktohen si burra të një force epike. Të dy punojnë përkohësisht në administratën shtetërore dhe të dy, në një formë apo në një tjetër, konsiderohen për kohën mjaft ofensivë.

Ati, vëllai, xhaxhai, si quhet deri më sot Uitmani prej poetëve amerikanë dhe aleati me çdo njeri të botës, i lindur në 31 Maj të vitit 1819, është ndarë nga jeta në vitin 1892.

Naim Frashëri, burri i një lëngate të gjatë tuberkulare, po aq aleat me dhimbjen, me bukurinë dhe i paepur; njeriu që brenda Perandorisë Otomane i dha Kristoforidhit lejen e parë të botimit ku shfaqej gjuha shqipe, ka lindur më 25 Maj të vitit 1846. Është ndarë nga jeta në vitin 1900.

Libri “Fije bari” i Uollt Uitmanit, u botua në vitin 1955 dhe hyri në histori, megjithëse 1000 kopjet e tij të para as nuk u shitën dhe emri i tij mbeti për një kohë të gjatë i pashkruar, deri sa u shfaq poezia për vdekjen e Linkolnit: “O kapiten, kapiten…”

Emri i Naimit as nuk mund të guxohej të shkruhej në botimin që tronditi shqiptarët si “Historia e Skënderbeut”. Emri i tij nuk u shfaq as te revista “Dituria” e Stambollit në botimin e poezive “Fjalët e qiririt” dhe “Manushaqes” së vitit 1884, që e bëjnë të famshëm deri sot.

Dhe, dihet që brenda kësaj fshehtësie shpërthyese, botimi i librit “Lulet e verës” në vitin 1890, i dha emrin e tij përfundimtar. Si krijues i madh.

Të dy sfidojnë gjithë mekanizmat e ngritur, gjithnjë, qoftë në favor të një njeriu të vetëm.

Të dy me vargjet e tyre e rrëmbejnë lexuesin si në rrymat dhe gurgullimat e lumenjve shtratgjerë, që marrin me vete kumbime njerëzore. Aq sa poema “Bagëti dhe Bujqësi”, në dëshirën ngazëllyese të njerëzve, lë herë pas here të pashfaqur plotësisht në botime, revoltën e madhe të poetit për vuajtjen, padrejtësinë, varfërinë dhe pabarazinë, fije këto të lidhjeve të forta shoqërore të poetit me çdo njeri…

Të dy kanë numeracione të pafundme, në një shkallëzim të një shpirti me një frymëmarrje të thellë.

Naimi flet për çukat, kodrat, brigjet, gërxhet dhe lumenjtë e tij të kulluar, që thellojnë shtratin dhe herë krijojnë përmbytje të mëdha.

“O kënaqësi që japin lisat, kopshti, korija, dushku, qitrat, pisha, pekani.
O të kuptosh hapësirën”, këndon Uollt Uitmani.

Të dy në enumeracione të drejtpërdrejta lidhen me çdo frymë krahine, njëri duke jetuar në botën më të vjetër, tjetri duke jetuar në botën më të re.

Me Naimin arrihen dimensione largësie, si në poezinë: “Hëna” kur ai e pyet:

“Sa Sokratë na ke parë të helmuar,
Sa Josefë pre për ujqër të tërbuar”.

Dhe Uollt UItmani në poezinë: “Themeli i gjithë metafizikës”, këndon:

“Pasi studiova e shpjegova Kantin, Fichte, Shilling, Hegelin,
Shpjegova dijen e Platonit e të Sokratit, më i madh se Platoni.”

Dhe më pas Naimi thotë:

“Mendja ime, që s’gjen prehje, bën kërkime,
Dhe rropatet me aq pyetje e mërmërime
Kush? Pse? Çfarë? Ku e kur? E si e sa?
Por më kot se nga çdo anë tallje ka.”

Dhe lexuesit i duket se përsëri po flitet për ditët e sotme.

Dhe nëse Naim Frashëri mbetet demokrati i parë i shqiptarëve, Uollt Uitmani mbetet demokrati i paparashikuar i gjithë botës.

Uollt Uitmani mund të përgjigjet, sikur të ketë parë edhe emigranten e sotme shqiptare, që sa i ka rënë lotaria amerikane.

“Eja muzë kalo prej Greqisë dhe Jonisë,
Të lutem fshiji ato llogaritë e vjetra të paguara shtrenjtë.”

Edhe në qoftë se ju miqtë e mi nuk e shihni, unë e shoh emigranten e shkëlqyer,

E pamërzitur nga ujësjellësit dhe gazometat e plehërat kimike,

Buzëqeshur e kënaqur me dëshirën që të rrijë,

Ja tek është e vendosur në mes enëve të kuzhinës.

Dhe ai e vë, si asnjeri tjetër, në një pozitë të re lirie shoqërore, edhe gruan që lëpin zemrën e një burri me kraharor të zbuluar.

E, ndërsa Uollt Uitmani, ky i pashtershëm në zgjerimin e një vëllimi të vetëm, thotë:

“Dielli im ka një diell dhe dielli im vërtitet me bindje rreth tij”, ai punon njësoj si ata piktorët që e shpërthejnë temën e tyre, duke krijuar një gjithësi të papërseritshme dhe duke krijuar një leksik jashtëzakonisht të pasur dhe përtëritës.

Ndërsa, Naimi, diejt e tij të vegjël i shpërndan deri në tekstet shkollore, me misionin e madh të një gjuhe të pauzurpuar.

Të dy panteistë sa më s’ka dhe transcedentalë sa më s’ka, vetëm në raste të rralla mund ta përqendrojnë figuracionin në një objekt të përcaktuar, pasi ai niset të shtrijë krahët për të përmbledhur gjithë botën. Dhe Naimi është gati të bëhet natyrë çdo çast, së bashku me Uollt Uitmanin.

Dhe kështu dy poetë që nuk u njohën kurrë, takohen me njëri-tjetrin në këtë pambarimësi. Dhe dimensionet e kësaj dashurie për njeriun dhe jetën janë aq të beftë dhe të freskët në poezinë e Uollt Uitmanit, njësoj si gaforret e tij poetike të saponxjerra prej detit.

Dhe Naim Frashëri te poezia “Deti”, këndon.

“O ti det që t’ep flladitje e gëzim!
Te ti gazin më gjen zemra shpirti im.
Pika jote është e ujërave moria,
Ato Krishti, kurse ti je Shën Mëri.”

Nuk ka poet tjetër që mund ta shihte detin si një bark mëmësor dhe morinë e ujërave si një Krisht i porsalindur dhe ndoshta njëkohësisht i porsakryqëzuar.

Si mund t’i përgjigjet poeti Uollt Uitman, pjesëmarrës nëpër ngjarje, së bashku me breshkën dhe pelën qimekuqe, nuk dihet.

Por ne mund të lexojmë së bashku disa vargje nga “Këngë për veten time”.

“Në procesin falik, kërcej rrugëve, jam gjysmë sofist i përmbajtur,
I ashpër në gjirin e pyjeve,
Me kafkë unë pi mjaltë t’egër, nderoj Shastat dhe Vedat, mbaj Kuranin,
Hipi në teokallet të lyera me gjak nga gurët dhe thikat,
trokas me daulle me lëkurë gjarpri.”

Romantizmi ka krijuar gati një oqean me kryevepra, prej të cilit duket sikur për herë të parë, nuk derdhen po burojne dy lumenjtë poetikë realë, që fillojnë të kërkojnë njeriun që deri atëherë as nuk është vënë re. Dhe kjo sjell një pranim të pafund.

Aq sa deri te “Këngë e vdekjes”, Uollt Uitman këndon.

“O nënë e zymtë që gjithnjë na afrohesh me çap të butë,
S’të ka kënduar kush një këngë miradije të përzemërt.”

Dhe ja, lozonjar deri edhe me vdekjen është Naimi te poezia “Zonja e fatit kur thotë”:

“Qesh njëherë moj leshra krënde,
Me të qarë nuk u dënde.”

Deri tani për Naimin është thënë shumë pak.

Madje janë rrekur ta vënë përballë madhështisë së zhbirimeve, humbjes së shpresës dhe demontimeve estetike të poetëve të tjerë të atij fundshekulli, që ndryshe nga Uitmani dhe ai vetë, jetonin në shoqëri me organizime të pjekura, të lëna si dhurata që të velnin.

Dhe mendoni sikur bota të fillonte të velej nga poezia e Uollt Uitmanit, vetëm e vetëm për hir të dashurisë së pakufishme për veten. Dhe mendoni sikur në SHBA-në e pafund të Uollt Uitmanit, të gjithë ata njerëz që kanë parë fluturimet kozmike dhe jetojnë para ëndrrës për të shkuar në Mars, të mendonin se mund të vjetërohej poezia e Uollt Uitmanit madje edhe vetë himni i amerikanëve, njësoj si kujtohemi ne për të bërë kapërcime të Naimit, për hir të një moderniteti dhe postmoderniteti të kohës së instalacioneve kolektive.

Por është e pamundur të kapërcesh në çdo krijimtari të sotme, pa befasinë e vargut shpërthyes dhe të brendshëm, qoftë te Uitmani qoftë te Frasheri, pa atë zgjerim të pafundmë në marrëdhënien me botën dhe historinë e njeriut, në të tillë plotëri, që ta sjell vetëm e ardhmja dhe besimi te liria njerëzore.

Ndoshta Naim Frashëri dhe Uollt Uitmani mbeten dy poetët më zemërgjerë të botës, të cilët nuk bashkohen vetëm nëpërmjet periudhave historike dhe idealeve të barazisë, por edhe nëpërmjet artit të madh.

Për shqiptarët, të pamësuar edhe me fjalën demokraci, ndonjëherë mbeten edhe të pakuptueshëm.

Dhe vargjet e tyre bëhen edhe më çlirues.

Dhe takimi i tyre është më se tronditës.

Sepse edhe sikur të mos ekzistonte i gjithë korpusi, gati i pafund i secilit, ata i kanë lënë përjetësisht botës, qoftë edhe dy poezi të vogla, ku ata mund të shohin njëri-tjetrin si në një pasqyrë.

Dhe ja ç’thotë Uitmani në poezinë: “E para lule radhiqe”:

“E freskët e thjeshtë dhe e bukur,
E çliruar prej robërisë së dimrit,
Sikur të mos kishte në botë modë,
As politikanë, as punë paresh,
Nga një skaj i ngrohur nga dielli në bar,
E rimë, e qetë, e artë si agimi,
E para luleradhiqe e pranverës,
Shfaq fytyrën e saj miturake”.

Dhe ja ç’thotë Naimi, mes kataklizmave e trazirave të mëdha… me poezinë: “Lulja”:

“N’atë kohë kur ky diell si fener, si dhe toka edhe hëna ish eter,
Dhe kur toka, hëna dielli shkëlqimtar,
U bën avull dhe u mbushën plot me zjarr,
Dhe nga dielli na u ndanë tokë dhe hënë,
Pa u nda dhe hëna shpejt nga toka nënë.
Dhe çdo njeri na u bë në hapësirë,
Yll i zjarrtë që ndriçoi në errësirë,
gjatë kohës, pra, që ndodhën kaq çudi,
O moj lule, ku qe fshehur vallë ti.”

Naimi i dashur më lejon të rrëmbej për këtë poezi të gjitha pasthirrmat e Uollt Uitmanit.

Të them se po flas për dy nga poezitë më të bukura të botës, ku përmblidhet e thjeshta, e vërteta, e pashmangshmja për të jetuar me të gjithë forcën e vet.

Por nuk mund të flas para Uollt Uitmanit, që duket sikur flet vetë me një poet, të cilin, po të mos e thonë shqiptarët, nuk mund ta thotë bota.

Por Uollt Uitmani duket sikur e ka ditur, kur shkruan:

“Shok po të jap dorën!
Po të jap dashurinë q’është më e shtrenjtë se floriri,
Po të jap veten time, në vend të predkut dhe ligjit.
A ma jep ti veten tënde? A vjen të udhëtosh me mua?
A do që të qëndrojmë bashkë tërë jetën?”

Më bukur që nuk diheshin këta dy poetë. Sepse bota duket edhe më e madhe.

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori