LAJMI I FUNDIT:

Nacionalizmi ngurrues dhe mundësia e ndryshimit të shqiptarizmit në kosovarizëm

Nacionalizmi ngurrues dhe mundësia e ndryshimit të shqiptarizmit në kosovarizëm

Para se ta shohim se çfarë ka qenë dhe si është sot nacionalizmi shqiptar, është e nevojshme ta shohim se çka është nacionalizmi në teori. Ekzistojnë disa definicione për nacionalizmin, por të gjitha theksojnë me sa vijon: Nacionalizmi është ideologji që shndërrohet në lëvizje shoqërore e që ka për qëllimin promovimin e interesave të një grupi të popullit që zakonisht ka të kaluar të përbashkët etnike. Qëllimi i fundit i nacionalizmit është krijimi dhe funksionimi i shtetit sovran brenda kufijve të caktuar. Sipas çdo ideologjie nacionaliste, shteti duhet të krijohet gjithsesi, përfshirë edhe angazhimin e armatosur apo luftën. Kur arrihet krijimi i shtetit sovran, atëherë grupi etnik që ka krijuar këtë shtet, shndërrohet në komb. Shteti i krijuar sovran nuk duron tutelë e as përzierje në kompetenca shtetërore nga ndonjë fuqi e jashtme. Kështu thotë teoria, edhe pse sot sovraniteti i është nënshtruar ndërrimit të kuptimësisë që e ka patur dikur.

Nacionalizmi shqiptar nuk është aspak autokton, siç e dëgjojmë shpesh këtë shprehje. Nacionalizmi shqiptar nuk ka lindur si rezultat i zhvillimit të brendshëm shoqëror, por ka ardhur nga jashtë si rezultat i reagimeve ndaj kërcënimeve të nacionalizmave të fqinjëve, siç janë serbët, grekët, bullgarët dhe malazezët. Por, edhe nacionalizmat e fqinjëve të shqiptarëve kanë ardhur po ashtu si ndikim nga jashtë e jo si nevojë e zhvillimeve të brendshme. Pra, zanafilla e shteteve siç është Serbia dhe Greqia, ka qenë rezultat i mbarsjes artificiale e jo rezultat i drejtpërdrejtë i nacionalizmit siç paraqitet nga shumë historianë të këtyre dy shteteve.

Kohëve të fundit, historianët grekë zanafillën e shtetit të tyre e paraqesin ashtu siç ka qenë. Disa prej tyre, përfshirë Dimitris Stamatopoulosin, konstatojnë se rebelimet e para serbe dhe ato greke nuk kishin aspak karakter nacionalist. Më 1804 serbët u rebeluan kundër dainjve që ishin bejlerët e tyre lokalë. Ata u ankuan në Stamboll dhe kërkonin ndërrimin e dainjve. Në vitin 1808, në rebelimin që ndodhi në Thesali dhe Peloponez, grekët e njoftuan Stambollin se nuk ishin ngritur kundër sundimit otoman, por ishin kundër menaxhimit të korruptuar të djemve të Ali Pashës të cilët e sundonin pothuaj tërë Greqinë e mesme dhe veriore. Të rebeluarit në Serbi dhe Greqi orvateshin të themelonin legjitimitetin e balancit të bashkë-ekzistencës së popullatës së krishterë me atë myslimane. Pra, këtu nuk kishte elemente nacionaliste, por kishte kërkesë për rikthimin e legjitimitetit të pushtetit otoman. Njësoj ka ndodhur edhe në Rumani në dimrin e viteve 1784-1785.

Por, rusët intervenuan në Serbi dhe me këshillat e tyre e orientuan ‘revolucionin’ serb kundër sundimit qendror otoman. Dhe, me kërkesat e dizajnuara nga Moska, lindi nacionalizmi serb. Njësoj ndodhi edhe me Greqinë. Pa marrë parasysh që te grekët mungonte ndjenja nacionaliste, Britania e Madhe, Rusia dhe Franca kishin vendosur që ta pavarësonin këtë vend, deshtën apo nuk deshtën grekët. Rusët, britanikët dhe francezët këtë veprim e bënin me qëllim që ta dobësonin Perandorinë Otomane.

Në të vërtetë, në Greqi në fillim të shekullit XIX kishte filluar një lëvizje e rilindjes kulturore greke, por ajo nuk u shpërnda për shumë arsye. Adamantios Korais (1748–1833), i lindur në Izmir, duke e reformuar gjuhën greke, u bë eksponenti kryesor i iluminizmit grek. Është me rëndësi të theksohet se Korais nuk i jepte rëndësi religjionit dhe kishte bërë me dije se për themelimin e shtetit grek me rëndësi është gjuha. ‘I tërë karakteri i një kombi shihet në gjuhën e tij’ – konkludon Korais.

Më vonë, një filolog tjetër grek Ioannis Psykharis (1854-1929), e përkrahu teorinë e Koraisit duke deklaruar: ‘Gjuha dhe atdheu janë identike. Të luftosh për gjuhën është njësoj sikur të luftosh për atdheun’.

Gjërat më vonë ndryshuan dhe kjo teori në fakt e shpjegonte në tërësi situatën e nacionalizmit shqiptar që u ngrit mbi gjuhën e jo sikur ai grek që u ngrit mbi religjionin. Më vonë, dhe në ditët e sotme, kjo teori u kritikua rëndë nga Peter Mackridge, profesor i njohur i gjuhës dhe letërsisë greke në Universitetin e Oksfordit. Mackridge ka theksuar se kur Korais kishte folur për rolin gjuhës amtare ndaj nacionalizmit, e kishte injoruar një fakt të rëndësishëm që ishte gjuha shqipe e cila flitej në Greqi. Në lidhje më këtë, Mackridge shkruan: “Shihet që Korais kurrë nuk e ka përmendur këtë gjuhë në botimet e tija, por ndoshta vetëm dy herë në letrat e tija kur ai e pyet Vasileiun për përdorimin e shqipes dhe greqishtes në situatat e jetës së përditshme në Epir. Por, ai ka dështuar që të tregoj ndonjë interesim të mëtejmë për këtë çështje”.

Kjo na ndihmon që të argumentojmë se roli i gjuhës në nacionalizmin grek më së miri është shpjeguar nga teoria e nacionalizmit shumetnik zviceran e zhvilluar nga Eric Hobsbawm (1917-2012), i cili shkruan: “Nëse do të supozonim se malësorët grekë, të cilët u ngritën kundër turqve në kohën e Bajronit, ishin nacionalistë, që pa dyshim është e pamundur, nuk mund të mos vërehet se luftëtarët më të aftë nuk kanë qenë helenët po shqiptarët (suliotët)”.

Teoria e Koraisit me siguri ka patur ndikim të madh te rilindësit shqiptarë, veçanërisht te Sami Frashëri i cili bazën e kombit e ndërtoi mbi gjuhën. Para se të bëhet ndonjë vështrim mbi teorinë e Frashërit, është mëse e nevojshme që të shohim se në çfarë pozite ishte nacionalizmi shqiptar në fillim të shekullit XIX kur Serbia u bë autonome (1815), kurse Greqia e pavarur (1830). Sipas shënimeve të udhëpërshkruesve britanikë të kohës së fillimit të shekullit XIX, para lindjes së këtyre dy shteteve është vërejtur se në Ballkan vetëm shqiptarët janë deklaruar në aspektin etnik. Tjerët deklaroheshin në baza religjioze, si të krishterë, pasi që ky religjion kishte krijuar ndikim të madh në unifikimin e kësaj përkatësie. Por, siç e pamë më lartë, edhe pse këtyre popujve u mungonte identiteti etnik dhe kombëtar, ata me ndihmën që u erdhi nga jashtë shpejt u katapultuan në nacionalistë.

Megjithatë, autonomia e Serbisë dhe pavarësia e Greqisë kanë qenë dy ngjarje që i ngjallën xixat e nacionalizmit te shqiptarët. Por, shqiptarët nuk krijuan organizatë dhe program nacionalist para vitit 1878. Vetëm kur u bë me dije se shqiptarët do të humbnin territor të konsiderueshëm që ata e kishin shënuar se u takonte, u organizuan dhe krijuan Lidhjen e Prizrenit. Nga vitit 1878 deri më 1881, Vilajeti i Kosovës, ai Shkodrës dhe pjesërisht ai i Manastirit dhe Janinës, praktikisht apo de jure dhe de facto kanë qenë nën qeverisjen e Lidhjes së Prizrenit e cila funksionoi tërësisht si një qeveri e kohës. Por, pasi që kërkesa e Lidhjes ka qenë autonomia, shumë studiues kanë shprehur dyshime në karakterin e nacionalizmit shqiptar, pasi që nacionalizmi, sipas definicionit synon pavarësinë si qëllim kryesor. Studiuesit i kanë dhënë emra të ndryshëm nacionalizmit shqiptar. Profesori Nader Sohrabi, ligjërues në disa universitete amerikane dhe gjermane, nacionalizmin shqiptar e ka quajtur hezitues apo ngurrues. Kjo është për shkak se nacionalistët shqiptarë kanë hezituar të kërkojnë drejtpërdrejtë pavarësi.

Në shikim të parë kjo është e vërtetë, por nga një studim jo thellë do të kuptonim që pavarësia nuk është përjashtuar kurrë nga kërkesa. Autonomia ishte fazë kalimtare në të cilën do të kryheshin përgatitjet për pavarësi. Asnjë shtet i Ballkanit, pos Greqisë, nuk ishte pavarësuar pa kaluar në fazën e autonomisë dhe shqiptarët e kërkonin mu këtë mënyrë. Por, arsyeja kryesore që nacionalistët shqiptarë ishin ngurrues ka qenë mungesa e përkrahjes së jashtme që e patën të gjitha shtetet tjera në procesin e pavarësisë. Prandaj, ngurrimi e ka ndjekur nacionalizmin shqiptarë që nga programi nacional i Sami Frashërit e deri në pavarësi. Kërkesa për pavarësi nuk bëhej për shkak se ekzistonte frika e madhe që ajo të mos realizohej. Pavarësia, pa përkrahjen e një fuqie të jashtme, nënkuptonte rënien e Perandorisë Otomane dhe okupimin e territoreve shqiptare nga shtetet fqinje. Prandaj, rilindësit në kërkesat e tyre për autonomi, vend primar i jepnin ushtrisë dhe shkollës. Por, në fund ndodhi mu ajo nga e cila frikohej nacionalizmi shqiptar: tokat shqiptare u okupuan nga fqinjët dhe ra Perandoria. Pra, ngurrimi në teori ishte i arsyeshëm, por në praktikë dështoi.

Rruga e nacionalizmit shqiptar nuk ka përfunduar me pavarësinë e Shqipërisë, për shkaqe të njohura. Një lloj nacionalizmi i shqiptarëve, madje edhe në formë të grupeve të armatosura, është paraqitur edhe në Mbretërinë e Jugosllavisë. Nëse dëshirojmë që ta ngjyrosim këtë nacionalizëm me ngjyrë politike, ai ka qenë djathtist dhe jongurrues pasi që kërkohej bashkimi i tokave shqiptare. Ky nacionalizëm mori fund pas Luftës së Dytë Botërore, kur u eliminua NDSH.

Por, pas luftës gjërat ndryshuan dhe nacionalizmi shqiptar merr ngjyrë të majtë. Nuk kishte si të ishte ndryshe pasi që nacionalizmi udhëhiqet nga intelektualët. Dhe, intelektualët e arsimuar në Jugosllavinë socialiste dhe të ndikuar nga Shqipëria po ashtu socialiste, nuk mund të vepronin nga e djathta. Ky nacionalizëm, aspak ngurrues, është ringjallë nga disa personalitete, por Adem Demaçi ka qenë shtylla kryesore. E, në procesin e rrugës së nacionalizmit deri te qëllimi i fundit, nuk ka rëndësi nëse mjeti shtyhet nga majtistët apo djathtistët.

Krijimi i autonomisë së Kosovës (1974) i ka ndryshuar gjërat duke e çorientuar nacionalizmin shqiptar. Tashti dolën dy lloj nacionalistësh. Lloji i parë që besonte se Kosova duhej të ishte subjekt (shtet) i barabartë në Federatën jugosllave dhe lloji i dytë që pa kompromis kërkonte bashkim me Shqipërinë. Në zhargonin e politikës që nuk hynë në shprehjet e ‘main stream’, këto dy grupe janë quajtur: titistët dhe enveristët. Lloji i parë janë ngurruesit kurse i dyti jo. Që të dy kërkesat duhet të konsiderohen normale dhe majtiste pasi që koha dhe vendi e impononte një gjë të tillë.

Në kaosin e krijuar pas vitit 1999 ka qenë vështirë ta shihje se ku gjendej i organizuar nacionalizmi shqiptar. Prezenca ndërkombëtare kishte qëllim primar që ta shtypte këtë ndjenjë në Kosovë. Por, pas pak viteve nacionalizmi filloi të rreshtohej nën flamurin e ngritur të Vetëvendosjes, organizatë që pa ngurrim dhe kompromis kërkon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Fillesat e kësaj organizate flasin për një lëvizje nacionaliste urbane së cilës i printe Albin Kurti, ideolog me shumë ngjashmëri me udhëheqësit e pavarësisë së vendeve koloniale.

Për shkak se nuk shprehte ngurrim në qëllimet e saja nacionaliste dhe për shkak se po e tërhiqte gjeneratën e re, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë shumë e padëshiruar nga partitë tjetra të çorientuara të Kosovës të cilat shtyheshin për të zënë vend në prehrin e ndërkombëtarëve. Pas pavarësisë (2008), në planin nacional të Kosovës sërish ndryshuan gjërat. Tashti lindi një shtresë e njerëzve që besojnë në shtetin e Kosovës i cili me vete krijon edhe kombin e ri kosovar. Ky nuk është vetëm konfrontim me idenë e Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, por edhe me nacionalizmin shqiptar. Tashti këtu kemi dy lloj nacionalizmash që dalin nga një trup për të konkurruar për të njëjtën pozitë. Pyetja (disa milionë dollarëshe) është se kush do të fitoj?

Përgjigja e kësaj pyetje varet me fatin e Kosovës. Nëse Kosova brenda pak viteve ia del që të stabilizohet dhe bëhet shtet funksional dhe faktor siç duhet të jetë, do të rritet edhe përkrahja për shtetin. Pastaj do të fuqizohet një komb që quhet kosovar e që do të shoqërohet me nacionalizmin e ri (kosovar). Roli i Albin Kurtit këtu është vendimtar. Plani i tij është që të krijohet një Kosovë e fuqishme. Nëse ndodhë kjo, atëherë Albin Kurti ka vepruar kundër besimit dhe thirrjes së tij. Ndoshta kundërshtarët planin e tij të fillimit që i kishte proklamuar në Vetëvendosje do ta quajnë ‘blof’ të shfrytëzuar për të ardhur në pushtet. Gjërat apo proceset politike dhe shoqërore më shumë se shpesh nisin për një qëllim e përfundojnë për një tjetër. Kjo është normale dhe dëshmohet gjatë tërë historisë. Nëse ndodhë kjo, Albin Kurti sërish do të jetë hero, por në anën tjetër e jo aty ku e kishte qëllimin. Këtë do ta bënte duke e luajtur rolin e ‘kamikazit’ në eliminimin e qëllimit të tij politik që e kishte proklamuar në fillim të karrierës. Tani më shihet se qëndrimet e tij gjatë rrugës deri në kryeministri kanë pësuar një morfologji e cila nuk mund të fshihet.

Nëse i referohemi historisë së nacionalizmit shqiptar, mund të shohim se me Albin Kurtin mund të ndodhë e njëjta gjë që ka ndodhur me Isa Boletinin. Por, ngjashmëria këtu shkon në drejtim të kundërt. Isa Boletini karrierën e tij politike e ka filluar duke qenë konservator i flaktë otoman, por që përfundoi si nacionalist prominent shqiptar. Albin Kurti e ka filluar karrierën si ideolog dhe aktivist i flaktë pan-shqiptar, por gjasat që të përfundoj si krye-nacionalist kosovar janë të mëdha.

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori