Nga: Jordan Peterson, profesor kanadez, autor, psikolog klinik dhe kritik i çështjeve kulturore dhe mediave / The Daily Telegraph
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Në Kinën komuniste sot janë 700 milionë CCTV [kamera vëzhgimi]. Ata sy elektronikë janë të lidhur me aparatin më të kompletuar shtetëror të mbikëqyrjes që mund të paramendohet. Ka aftësinë jo vetëm të njohë fytyrat në largësi, por të veprojë kur tiparet e fytyrës janë të fshehura ose të errësuara.
Aftësia e tillë mundet, dhe së shpejti do t’ia dalë, të arrijë në pikën ku vetë lëvizjet e syve – të monitoruara nga kamerat inteligjente – do të mjaftojnë për të identifikuar çdo palë aktive.
Inxhinierët e çmendur dhe naivë që me kaq entuziazëm ndihmuan në ndërtimin e këtij sistemi, këtë e quajnë “SkyNet” – sipas teknologjisë keqbërëse dhe gjithëpërfshirëse që merr kthesë kaq të tmerrshme e të gabuar në serinë e fantashkencës Terminator, ku robotët me inteligjencë artificiale bëjnë gjithçka për ta mbrojtur veten dhe për pasojë e shkatërrojnë njerëzimin. Emri gjithashtu i referohet një fraze të njohur kineze që përshkruan shtrirjen e vetë hyjnores – “rrjeta e parajsës është e pafund, megjithatë nuk i mungon asgjë” – që tamam e përshkruan aftësinë e aparatit të ri shtetëror
Ky sistem është i integruar në të ashtuquajturin Sistemi Kinez i Kredisë Sociale, i cili pjesëmarrësit e pavullnetshëm i shpërblen me pikën që bën me dije për përputhshmërinë e tyre me diktatet e Partisë, duke e lejuar kontrollin e plotë mbi qasjen në gjithçka që ata posedojnë në formën elektronike, më e keqja në kursimet e tyre dhe qasjen në udhëtime, përfshirë këtu – meqë po shfaqen më shumë porta elektronike – edhe lëvizjen.
Nëse je kinez apo thjesht vizitor, nëse Rezultati yt i Kreditit Social bie përtej minimumit arbitrar, qasja jote në botë mund të reduktohet në zero. Kjo e lejon përjashtimin tënd nga të gjitha aktivitetet që mund të virtualizohen: ngasje, pazar, punë, ushqim, gjetje strehimi; madje edhe shoqërimi me miqtë dhe familjen (meqë thjesht je në prani të dikujt me Rezultat të ulët të Kreditit Social, kjo do të thotë se rezultati yt mund të zbresë).
Kjo ia ka hapur mundësinë qeverisë që të përfitojë – nga qytetarët e vet – fuqi punëtore të ngjashme me skllevërit. Dhurimi i punës falas për shtetin përbën mjetin me të cilin qytetarët mëkatar mund ta rrisin rezultatin e vet dhe të mbeten pjesë e shoqërisë. Për më tiranikët, ky pikërisht është sistemi më i dëshiruar i pagesave: jo “puno për mua dhe përfito nga ajo” që përbën marrëveshjen kontraktuale të ndërmarrë nga qytetarët e lirë, por “puno për mua dhe unë do ta heq privimin që ta vendosa” që gjithmonë ka qenë lajtmotiv i skllavit.
Bota distopike e krijimit tonë
Pse gjithë kjo ka rëndësi për njerëzit në Perëndim?
Sepse, teknologjia që përdor Partia Komuniste Kineze është zgjerim i teknologjisë perëndimore.
Sepse, kohët e fundit kemi rënë pre e tundimit të tmerrshëm ndaj mbylljeve të përdorura nga ai shtet përballë ndonjë krize hipotetike.
Sepse po ecim, hap pas hapi, në të njëjtin drejtim – pjesërisht për shkak të “komfortit” hipotetik të njohjes universale dhe automatike të identitetit, pjesërisht sepse cilido problem që na ballafaqon tash lehtësisht mund të përdoret për të justifikuar shtrirjen shtesë të sigurisë dhe të dado-shtetit.
Thuhet se njerëzit e epokës së gurit, të përballur për herë të parë me kamerat dhe pamjet e tyre të zhvilluara nga antropologët modernë, kundërshtuan kapjen e imazheve meqë kishin frikë nga robërimi i shpirtrave të tyre. Del se frika e tillë ishte parashikuese: imazhet që lëmë pas gjatë lundrimit nëpër hapësirën virtuale, janë duplikate aq të afërta të vetes sonë aktuale, saqë – në këtë aspekt – kapja e thelbit tonë është thjesht e garantuar.
Të gjithë ne tashmë i kemi kipcat tanë. Të gjithë ne aq shumë jetojmë në botën virtuale – falë zakoneve tona të blerjes dhe mënyrave të komunikimit me ndërmjetësim elektronik – saqë vetja jonë është reduktuar në shkallë të frikshme, thjesht në “data” [informatë], në ekuivalentin modern të gjurmës sonë, në të njëjtat informata që përbëjnë imazhin e identitetit tonë. Ky identitet mund të blihet dhe të shitet gjithnjë e më shumë nga ndërmjetësit e korporatave të padukshme të cilët atë e përdorin për të na shitur atë që e duam kaq shumë – me mospërfillje dhe lehtësisht – por, që mund të përdoret gjithashtu për të gjurmuar, monitoruar dhe ndëshkuar gjithçka që bëjmë dhe themi.
Shkencëtarët bihejvioristë e ndihmojnë këtë proces përmes zgjedhjes që ndryshon sjelljen: praktikën e shtyrjes së njerëzve në një drejtim të caktuar ideologjik, duke manipuluar stimujt e padukshëm prapa skenave. Korporatat ndjekin vendimet e blerjes duke zhvilluar algoritmet të cilat – përmes saktësisë që rritet – ndjekin modelet tona të vëmendjes dhe të veprimit, duke mundësuar kështu parashikimin e asaj që më pas mund të bëhet më tërheqëse, duke e bërë këtë jo vetëm për të na ofruar atë që duam, por për të përcaktuar dhe formësuar atë që neve na nevojitet.
Qeveritë munden dhe po bashkëpunojnë që me këta agjentë të korporatave të krijojnë tablonë jo vetëm të veprimeve tona, por të mendimit dhe të fjalëve tona, në mënyrë që të mund të hartohet devijimi drejt përfundimit të dëshiruar, drejt shpërblimit dhe ndëshkimit. Zhvillimi i identitetit dhe valutës së tillë dixhitale nuk është asgjë tjetër veçse pasoja e mundshme përfundimtare e prirjeve të tilla – dhe kombinimi i të dyjave do të lehtësojë zhvillimin e një shteti mbikëqyrës, shtrirjen e të cilit vështirë se mund ta imagjinonin pesimistët optimistë të totalitarizmit, si George Orwell.
Marrëveshje e fundit e fshehtë fashiste
Sistemet e reja të AI-së [inteligjencës artificiale] që me shpejtësi po shfaqen, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse e shtojnë këtë rrezik, duke e ofruar mundësinë e super-mbikëqyrjes fushëveprimi i së cilës tejkalon çdo gjë që njerëzit e thjeshtë – të pandikuar nga teknologjia – mund të paramendojnë. Ato mund të jenë të sigurta se qëndrimet, sjellja dhe personalitetet tona do të manipulohen deri në atë shkallë saqë nuk do të jemi më në gjendje të shohim ndonjë realitet tjetër jashtë atij që është ndërtuar nga supershteti: marrëveshja e fshehtë përfundimtare fashiste midis korporatave gjigante – me interesa personale – dhe obsesionit paranojak për sigurinë të qeverive antinjerëzore.
Për qëllimet e kënaqësisë dhe të komfortit të menjëhershëm, shpirtin tashmë po ia shesim supershtetit, ndërkohë që për këtë joshemi nga ideologët që nxisin frikën duke na e garantuar sigurinë të cilën kaq dëshpërimisht dhe gjithnjë e më shumë e dëshirojmë.
Kjo aspak nuk është çështje partiake. Në vendin tim, në Kanada, tejkalimi më skandaloz i supershtetit ndodhi si pasojë e një proteste të klasës punëtore kundër – dhe për ironi – tejkalimeve të shtetit gjatë bllokimeve të Kovidit, kur qeveria jonë federale, gjithnjë e më delirante dhe totalitare, vendosi – në bashkëpunim me bankat e mëdha kanadeze – se ishte e përshtatshme të pezullonte qasjen e protestuesve dhe të mbështetësve të tyre, sado të paktë, në vetë asetet që kanë.
Ngjarja e tillë frikësoi – dhe do të duhej – këdo që merret me mbrojtjen e sigurisë personale, të privatësisë dhe autonomisë, duke sinjalizuar aftësinë dhe vullnetin gjithnjë e më të madh të agjentëve shtetërorë dhe të korporatave për të vepruar në sinkron – përkitazi me të dhënat që tani zotërojnë, mjetet e kontrollit që kanë në dispozicion, dhe për të ndëshkuar klientët dhe qytetarët për pikëpamjet e tyre politike, sado pak të përhapura qofshin ato pikëpamje. Pikëpamjet që konsiderohen të papranueshme, saktësisht përcaktohen si ato që kundërshtojnë interesat e kujtdo që aktualisht mban stafetën e pushtetit, të majtë apo të djathtë, korporativ apo qeveritar.
Kohët e fundit, në Kanada u tha se veprimi i tillë fjalë për fjalë ishte antikushtetues. Por, kjo nuk e ka ndaluar shtrirjen e tepërt të shtetit. Legjislacioni i ri i propozuar nga e njëjta qeveri mandaton gjenerimin e një burokracie gjigante që së shpejti do të monitorojë dhe do të ndëshkojë – në mënyrë jashtëgjyqësore – të ashtuquajturat “krime të urrejtjes”, me çfarë së shpejti do të përshkruhet çdo fjalim ose veprim të cilin e kundërshtojnë burokratët dhe korporatat të cilat vetë janë përgjegjëse për atë përkufizimin.
I njëjti legjislacion tani madje e përcakton atë që mund të konsiderohet si para-krim: nëse një agjent gjykate gjykon se një shtetas kanadez mund të kryejë të ashtuquajturin krim të urrejtjes në të ardhmen, ai person mund të pajiset me një pajisje mbikëqyrëse elektronike që kufizohet në aftësinë e tij ose të saj për të lëvizur ose komunikuar, për të monitoruar kështu përputhjen e tyre me diktatet e shtetit.
Me rritjen e aftësisë për të monitoruar jo vetëm modelet aktuale të vëmendjes dhe sjelljet e qytetarëve, por edhe për të parashikuar gjërat që janë më të mundshme, bëhet gjithnjë e më i mundshëm persekutimi i krimit të tillë të mundshëm. “Nëse nuk keni asgjë për të fshehur, nuk do keni asgjë për t’u frikësuar”, do të jetë slogani i komanduar nga ata që me shumë gjasë do t’i drejtohen mbikëqyrjes – për të mbrojtur dhe për të kontrolluar.
Cila ishte shakaja më e famshme totalitare sovjetike, që i atribuohet Lavrentiy Berias, kreut të policisë sekrete? “Ma trego njeriun dhe unë do të ta tregoj krimin”. Ato fjalë ishin mjaft të vërteta në kohën e terrorit të Josif Stalinit – dhe, edhe atëherë policia ishte mjaft sekrete. Por, kjo nuk është asgjë në krahasim me atë që ne mund të prodhojmë dhe me gjasë do të prodhojmë tani: një polici kaq sekrete saqë nuk do të jemi në gjendje të zbulojmë as aktivitetin e tyre gjithëpërfshirës dhe delikat që aq thellë monitoron krimin, saqë që të gjithë nën diktatin e sistemit do të kenë diçka për të fshehur dhe shumëçka për t’u frikësuar. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëThënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!
Traditat dhe ritet e dikurshme të dasmave shqiptare
Histori e shkurtë e muzikës shqiptare: Thesari ende i panjohur
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
Poligloti Petro Zheji
KOSOVË
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj