Mustafa uron Ramazanin, fajëson partitë tjera që zgjodhën këtë periudhë për zgjedhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka uruar gjithë beimstarët mysliman me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në një postim në “Facebook”, ai ka shkruar se LDK-ja insistoi që mos të ketë zgjedhje në këtë periudhë, mirëpo të tjerët e dëshiruan këtë.
“Ne u përpoqëm të shmangnim fushatën parazgjedhore gjatë Muajit të Ramazanit. Ju kërkojmë ndjesë që nuk arritëm t’i bindnim edhe oponentët tanë politikë për ta respektuar traditën unike që Muaji i Ramazanit ka kultivuar tek familjet tona dhe në shoqërinë tonë”, ka shkruar ai.
Postim i plotë:Të dashur miq, Dua të ndajë me Ju urimin tonë të përbashkët për të gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë, me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit. Ky muaj, për të gjithë besimtarët myslimanë është simbol i sakrificës, i paqes dhe i përkushtimit ndaj Zotit dhe ndaj njëri-tjetrit. Ne u përpoqëm të shmangnim fushatën parazgjedhore gjatë Muajit të Ramazanit. Ju kërkojmë ndjesë që nuk arritëm t’i bindnim edhe oponentët tanë politikë për ta respektuar traditën unike që Muaji i Ramazanit ka kultivuar tek familjet tona dhe në shoqërinë tonë. Ne do të mundohemi maksimalisht që gjatë ditëve në vijim, të përçojmë tek të gjithë mesazhet dhe kuptimin e Muajit të Ramazanit dhe traditës sonë të tolerancës e mirëkuptimit. Ju uroj një agjërim të lehtë, harmoni dhe begati për të gjitha familjet tona. I.M.





















































