Mustafa: Kurti s’do të vinte në pushtet pa përkrahjen e shumë mediave

Ish-kryeministri Isa Mustafa, ka reaguar ndaj përkeqësimit të lirisë së mediave në Kosovë, duke i adresuar kritika të drejtpërdrejta jo vetëm qeverisë Kurti, por edhe vetë mediave që, sipas tij, kanë braktisur profesionalizmin në favor të mbështetjes politike.
Në një postim në Facebook, Mustafa është shprehur se rënia e Kosovës në indeksin global të lirisë së mediave – nga vendi i 75-të në të 99-in – është reflektim i një realiteti ku mediat kanë kontribuar në krijimin e një pushteti autoritar, duke shkelur parimet etike dhe standardet profesionale.
“Qytetarët votuan, për perceptimin që ua plasuan dhe krijuan mediat”, shkroi Mustafa, duke nënvizuar se shumë media e kishin ndihmuar Vetëvendosjen të vinte në pushtet, ndonëse, sipas tij, kjo parti nuk kishte sjellë asnjë rezultat konkret për vendin.
Ai shton se edhe në zgjedhjet e fundit, disa media kanë ndryshuar qëndrim, duke mbështetur tash subjektet opozitare jo për shkak të bindjeve ideologjike, por nga frika ndaj, siç e quan ai, “regjimit autoritar të VV-së”.
Mustafa e mbyll reagimin me një apel për më shumë etikë dhe përgjegjësi: “Pak më shumë sjellje profesionale dhe përgjegjësi për fjalën e lirë do të bëjë punë që mediat të evitojnë lopatat e politikës.”
Sipas tij, fjalën e lirë nuk e ka dëmtuar vetëm pushteti, por edhe vetë mediat, “kur profesionalizmin e kanë zëvendësuar me sindromin e adhurueseve politik”.
Pasojat, sipas tij, po i bart Kosova./Telegrafi/


















































