Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka reaguar ndaj qëndrimit të kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, lidhur me mënyrën e votimit të kryetarit të Kuvendit.

Përmes një postimi në Facebook, Dehari kishte deklaruar se "do të ishte shkelje kushtetuese nëse do të pyeteshin deputetët se a janë për votim të fshehtë apo jo".


Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e deputetit Mustafa, i cili e ka cilësuar këtë qasje si autoritare.

“‘Do të ishte shkelje kushtetuese nëse do të pyeteshin deputetët se a jeni për votim të fshehtë apo jo’, paska thënë Dehari. Ndërsa vendimi i tij, pa pyet askënd, për të ndryshuar mënyrën e votimit, qenka kushtetues. Pra, sipas tij, deputetët s’bën me i pyet, ata veç duhet me ulë kryet edhe me votu. Kjo është pra mendësia e tyre: Mbylle gojën, voto qysh t’thojmë na, nuk pyetesh ti për kurrgjë", ka shkruar Mustafa në Facebook.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë nesër (e diel) nga ora 11:00.