LAJMI I FUNDIT:

Musliu: Kryqëzimi i fuqive në Mal të Zi – ndryshimi i kursit dhe arrestimi i Gjukanoviqit

Musliu: Kryqëzimi i fuqive në Mal të Zi – ndryshimi i kursit dhe arrestimi i Gjukanoviqit

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, Agim Musliu, ka thënë se lufta hibride në Ballkanin Perëndimor është duke e goditur fuqishëm edhe Malin e Zi, duke e përmbysur rendin gjeopolitik në këtë rajon në favor të Rusisë dhe Serbisë.

Musliu në një tekst autorial, ka thënë se “dy palë zgjedhjet e fundit në Mal të Zi mjaftuan që ta ndryshojnë komplet strukturën politike në këtë vend nga pro-perëndimor në pro-rus dhe pro-serb. Arrestimi i Gjukanoviqit pritet të jetë një goditje e hapur shtetësisë së Malit të Zi duke e njollosur procesin e pavarësisë dhe anëtarësimit në NATO.

“Mali i Zi, në kryqëzimin strategjik të orientimit Lindje-Perëndim, mes Rusisë dhe Perëndimit, ende nuk ka arritur të stabilizohet, pavarësisht anëtarësimit në NATO. Në katër vitet e fundit, dy zgjedhje parlamentare kanë qenë të mjaftueshme për të transformuar plotësisht strukturën politike të vendit. Nga një vend me një orientim të qartë pro-perëndimor, Mali i Zi po ndryshon kursin e tij çdo ditë e më shumë”, ka shkruar Musliu.

Më tej ai thotë se “kulmi i ndryshimit të kursit politik të Malit të Zi duket se do të shënohet me arrestimin e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Millo Gjukanoviq.

“Që nga viti 1995, Gjukanoviq ka ndërtuar lidhje të forta me Perëndimin, veçanërisht me SHBA-në, duke kulmuar me shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi më 2006 dhe anëtarësimin në NATO më 2017. Arrestimi i mundshëm i Gjukanoviqit vjen pas arrestimeve të figurave të njohura si anti-ruse dhe anti-serbe, përfshirë Milivoje Katniq, Sasha Çagjenoviq, dhe Veselin Veljoviq. Katniq, ish-prokuror në rastin e atentatit ndaj Gjukanoviqit, kishte arritur në përfundimin se një grup nacionalistësh rusë planifikonin vrasjen e kryeministrit për të sjellë në pushtet një parti opozitare”.

Musliu thotë se “ekstradimi i fundit i bankierit të arratisur Dushko Knezheviq në Mal të Zi, i cili pretendon se ka prova kundër Gjukanoviqit, u interpretua si një sinjal se ‘unaza po shtrëngohet’ rreth ish-presidentit”.

“Gjukanoviq kishte refuzuar në të kaluarën t’u lejonte britanikëve kontrollin e portit të Tivarit dhe tregtinë e cigareve, si dhe rusëve kontrollin e portit të Barit për qëllime ushtarake. Ky refuzim duket se nuk është harruar nga britanikët, të cilët mund të kenë shfrytëzuar rastin e Knezheviqit për të nxitur arrestimin e Gjukanoviqit. Ky veprim mund të ketë pasoja të rënda, duke përfituar Rusia dhe Serbia në kurriz të Britanisë dhe gjithë Perëndimit”.

“Gjukanoviqi dhe përkrahësit pro-pavarësisë së Malit të Zi, ishin detyruar që procesin e pavarësisë së Malit të Zi ta shtynin përpara nën imponimin e kritereve jodemokratike të vendosura nga Bashkimi Evropian. BE-ja për ta njohur referendumin dhe shpalljen e pavarësisë si legjitime të Malit të Zi, kishte vendosur kriteret: pjesëmarrja duhet të jetë mbi 50% e votuesve të regjistruar; vendimi për pavarësinë e Malit të Zi duhej të mbështetej me mbi 55% e votuesve”.

Drejtori i “OCTOPUS” thotë se “në zgjedhje morën pjesë 86.3% e votuesve të regjistruar ku pro-pavarësisë votuan 55.5% dhe kundër u shprehën 44.5% e votuesve. Faktor kyç në përmbushjen e kriterit mbi 55% ishin shqiptarët të cilët jetojnë në shtetin e Malit të Zi”.

“Pavarësia dhe anëtarësimi në NATO ia mbyllën Serbisë dhe Rusisë mundësitë për dalje në Detin Adriatik. Për më tepër, kundërshtimi i fuqishëm i pavarësisë së Kishës Serbe në Mal të Zi, që çoi në rrëzimin e qeverisë së Abazoviqit me iniciativën e DPS-së së Milo Gjukanoviqit, grumbulloi mjaftueshëm armiq në radhët e serbëve dhe rusëve”.

Sipas Musliut, “Gjukanoviq preku tri shtylla jetike për Rusinë, Serbinë dhe Kishën Ortodokse: Shtyllën strategjike të kontrollit të gjerë territorial dhe ekonomik; shtyllën strategjike të daljes në Detin Adriatik, dhe shtyllën e pavarësisë së Kishës Ortodokse me benefite eksterritoriale në Mal të Zi”.

“Mali i Zi po lëvizë strategjikisht dhe me taktika të kamufluara drejt Rusisë dhe Serbisë. Ndërsa kryeministri i këtij vendi mban takime me NATO-n, ai po zëvendëson figurat pro-perëndimore me njerëz të përshtatshëm për interesat Ruse dhe Serbe. Edhe pse shpreh vullnet për avancim drejt anëtarësimit në BE, në terren po ndërmerren masa për të orientuar vendin drejt Serbisë dhe Rusisë përmes mjeteve institucionale. Ndërkohë që voton në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së deklarativisht për rezolutën që vendos një ditë përkujtimore për gjenocidin në Srebrenicë, kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, ngushëllon Serbinë dhe punon për ndryshime në strukturën kushtetuese shtetërore të Malit të Zi”.

Musliu thotë se “Instituti ‘Octopus’, përmes një studimi të thelluar, ka analizuar me kujdes rikonfigurimet gjeopolitike dhe gjeostrategjike që po ndodhin në Mal të Zi për shkak të ndikimit rus dhe serb. Studimin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu. Rezultatet tregojnë se censusi i fundit në Mal të Zi mund të ndryshojë balancën etnike, pasi ndikimi ruso-serb mund të ketë shtyrë shumë malazezë të deklarohen si serbë.

“Kjo mund ta transformojë Malin e Zi në një shtet të ngjashëm me Maqedoninë e Veriut, me federalizim si Bosnja e Hercegovina, duke krijuar një asociacion për serbët me kompetenca ekzekutive, organizimin e një referendumi që lejon komunat pro-serbe dhe pro-ruse të shpallin pavarësinë ose rikthimin në Serbi, dhe në skenarin më ekstrem, ndryshimin e rrethanave gjeopolitike dhe raportit të forcave që prodhon aneksimin e vendit nga Serbia. Serbia po pret gjithashtu ndryshime në rrethanat gjeopolitike për çështjen e Kosovës, siç ka deklaruar presidenti Vuçiq”.

Sipas Musliut, “përkrahja për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë dhe deklaratat e Mandiqit janë një formë strategjie e futjes në gërryerjen e institucioneve malazeze nga brenda dhe në anën tjetër Vuçiq së fundi duke e ‘kritikuar’ Malin e Zi për përkrahjen e rezolutës i ka përmendur komunat pro-ruse dhe pro-serbe si Plevlja, Hercegnovi, etj., duke dërguar mesazh se gërryerja e institucioneve, përplasjet e përkrahjet të çfarëdollojshme janë taktika të strategjisë së krijimit të ‘Botës Serbe’”.

“Kujtojmë se kur peshkpoi i metropolitit në Manastirin e Cetinjes, Joanikije II, e mori zyrtarisht detyrën, gjatë ceremonisë janë kënduar këngë nacionaliste nga priftërinjtë dhe vetë Joanikije II, ku theksi i është vendosur kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë: ‘Kad se vojska na Kosovo vrati…!’. Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe patriarku serb Porifirije kanë qenë të angazhuar drejtpërdrejt në fushatën para censusit që të shtyjnë malazezët të deklarohen në serbë”, shkruan Musliu.

“Pra, riorientimi i Malit të Zi mund të marrë formën e sizifit me arrestimin e Milo Gjukanoviqit. Pasi kjo do e njolloste vetë aktin e shpalljes së pavarësisë së këtij vendi dhe anëtarësimin në NATO. Ashtu sikur me 1918 kur këtij vendi iu krijua një qeveri nga Serbia që do hartonte disa rregulla, një referendum të kamufluar dhe një kuvend ku shpallej bashkimi i Malit të Zi me Serbinë. E njëjta gjë si duket po përsëritet edhe tani. Por dallimi është se tani po bëhet para syve të Perëndimit të cilët sikur janë të pavetëdijshëm apo të çorientuar për atë se çka vërtet po ndodh në Ballkanin Perëndimor”.

Musliu thotë se “iluzionet e Perëndimit se ‘politika e paqëtimit’ ndaj Serbisë, mund ta kthejë këtë të fundit në orbitën perëndimore, janë duke prodhuar kundërefekt sikur në rastin e Hitlerit dhe Putinit”.

“Paqëtimi ndaj Serbisë po e forcon ndikimin e Kinës dhe Rusisë në Ballkan deri sa mund të arrijmë në një pikë ku perëndimi do jetë i pafuqishëm ta ruajë gjithë Rimlandin dhe një pjesë të saj në Ballkan do ta lëshoj në duart e Rusisë dhe këtu realizohet suksesshëm Russkiy Mir (Bota Ruse) dhe “Srpski Svet” (Bota Serbe). /Telegrafi/