Musk parandalon me sukses keqpërdorimin rus të Starlink

Elon Musk ka deklaruar se hapat që SpaceX kishte ndërmarrë për të ndaluar përdorimin 'e paautorizuar' të Starlink nga Rusia duket se kanë funksionuar.
"Duket se hapat që ndërmorëm për të ndaluar përdorimin e paautorizuar të Starlink nga Rusia kanë funksionuar. Na tregoni nëse duhet bërë më shumë", tha drejtori ekzekutiv i SpaceX, Musk, në X.
Looks like the steps we took to stop the unauthorized use of Starlink by Russia have worked. Let us know if more needs to be done.
— Elon Musk (@elonmusk) February 1, 2026
Ministri ukrainas i mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, njoftoi se Ukraina po punon me SpaceX për të ndaluar Rusinë të drejtojë dronë duke përdorur sistemin e internetit të Starlink.
“Teknologjia perëndimore duhet të vazhdojë të ndihmojë botën demokratike dhe të mbrojë civilët, në vend që të përdoret për terrorizëm dhe shkatërrimin e qyteteve paqësore”, tha Fedorov.
Ndryshe, ushtria e Ukrainës ende mbështetet në dhjetëra mijëra Starlink për komunikim në fushën e betejës dhe për pilotimin e disa misioneve me dronë. /Telegrafi/











































