Murati kritika ndaj aktgjykimit të Kushtetueses: Duket sikur është shkruar në zyret e PDK-së

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me seancën konstituive dhe rolin e Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve.
Ai ka theksuar se veprimet e grupit parlamentar të VV-së dhe kryesuesit të seancës, Avni Dehari kanë qenë në përputhje të plotë me Kushtetutën, duke u bazuar në aktgjykimin e vitit 2014-të.
“Kryesuesi i Seancës Konstituive z. Avni Dehari, dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje që nga data 15 prill e deri më 26 korrik kanë vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën, nëse marrim për bazë Aktgjykimin KO119/2014,” deklaroi Murati.
Ai shtoi se Kushtetuta nuk ka ndryshuar që nga ajo kohë, por ndryshimi ka ardhur në interpretimin që po i bëhet asaj nga anëtarët aktualë të Gjykatës Kushtetuese, duke e lidhur këtë me ndërrimin e partisë fituese të zgjedhjeve.
“Kushtetuta është e njëjta si në vitin 2014. Nuk ka ndryshuar. Por ajo çfarë ka ndryshuar është interpretimi që po i bëjnë Kushtetutës anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sepse ka ndryshuar fituesi – tash është Lëvizja Vetëvendosje e nuk është PDK-ja,” theksoi ai.
Murati gjithashtu kritikoi gjuhën dhe përmbajtjen e aktgjykimit të fundit të Gjykatës, duke shtuar se ai duket i diktuar nga qarqe politike.
“Në fakt, ky aktgjykimi i publikuar dje edhe duket sikur është shkruar në zyret e PDK-së, për dallim prej atij të datës 26 qershor që megjithatë linte përshtypjen se ka pasur kontribut edhe nga vetë Gjykata,” u shpreh ministri në detyrë. /Telegrafi/




















































