Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës se, në mungesë të kauzave të vërteta politike, po del kundër interesave të qytetarëve dhe po e përdor kryeqytetin për fushatë elektorale.

Në një konferencë për media, Murati tha se kryetari Përparim Rama po tenton të fajësojë Qeverinë dhe Ministrinë e Financave për problemet në sektorin e transportit urban, duke shtuar se situata aktuale është pasojë e vendimeve të papërgjegjshme të komunës.


Murati bëri të ditur se ka takuar përfaqësuesit e transportuesve që protestuan para Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë, duke theksuar se problemet janë shkaktuar nga vetë komuna:

“Problemi i parë është se ky problem është i vetëshkaktuar, pasi ka pasur vendime elektorale për t’i larguar nga pagesa shumicën e qytetarëve, duke e ngarkuar barrën mbi Komunën e Prishtinës, e cila as nuk e kishte buxhetin e miratuar”, tha ai.

Sipas tij, pos trafikut urban, komuna ka futur në vështirësi edhe operatorët privatë të transportit.

“Problemi i dytë është se komuna nuk e ka miratuar buxhetin, dhe as buxheti i shtetit nuk u votua në Kuvend, sepse edhe LDK-ja mungoi. Ky mosvotim e bëri problemin e Prishtinës të pariparueshëm”, shtoi Murati.

Ai e quajti situatën e krijuar një fushatë elektorale të Abdixhikut në kurriz të qytetarëve, duke thënë se kryeqyteti është detyruar të punojë me vetëm 1/12 e buxhetit emergjent.

“LDK-ja, në mungesë të kauzave të vërteta politike, ka vendosur të sabotojë, të marrë peng qytetarët e Prishtinës dhe të mbajë peng qytetin. Nga premtimet për transformim të trafikut urban, tani kemi kaluar në ‘bankrotim’. Po shihet qartë se kjo propagandë po bëhet për kalkulime politike, duke u mohuar qytetarëve shërbime publike vetëm që të fajësohet Qeveria apo Ministria e Financave”, deklaroi Murati./Telegrafi/