Mungesat e mëdha të fjalorit të madh te gjuhës shqipe

Akademia e Shkencave e Shqipërisë (AShASh), bëri hapin e duhur kur vendosi të krijojë një fjalor të bazuar në ueb. Por, nëse ky projekt synon të jetë i vlefshëm për publikun dhe për gjuhën, atëherë duhet të pasqyrojë shqipen e sotme - jo vetëm një shqipe “të rregullt” teorikisht, por një shqipe që përdoret realisht çdo ditë në komunikim, në sport, në ekonomi dhe në botën digjitale.
Një fjalor modern onlajn nuk mjafton të “punojë shpejt”. Ai duhet të ketë mbulim të gjerë të përdorimit aktual, të jetë konsistent në mënyrën si i trajton huazimet, të tregojë pjesën e ligjëratës (emër, folje, mbiemër), të japë shembuj përdorimi dhe - idealisht - të ketë etimologji dhe një sistem përditësimi të vazhdueshëm. Pa këto, rrezikon të mbetet thjesht një katalog i pjesshëm.
Sa i përket funksionalitetit, fjalori punon mirë dhe shpejt dhe duket se ka më shumë fjalë se fjalorët e mëhershëm, gjë që është pozitive. Mirëpo, ky fjalor lë shumë për të dëshiruar sa i përket fjalëve të përfshira: për të jetuar në botën moderne ne detyrohemi të përdorim fjalë që nuk gjenden në të, ndërkohë që nuk dimë si t’i shkruajmë sipas rregullave, ose si t’i përshtatim në shqip. Unë do të diskutoj disa shembuj konkretë nga fusha ku kam punuar për më shumë se pesë vjet.
Komunikimi masiv
Në këtë fushë kam punuar gjatë, dhe sot kjo punë nuk mund të paramendohet pa mediat sociale. Megjithatë, ky është një nga termat që mungon kur shpjegohet fjala “medie”. Ka edhe një paradoks që e zbulon menjëherë problemin e kritereve: fjalori e përmban fjalën “Instagram”, por nuk ka “Fejsbuk” (Facebook), “Tuitër” (Twitter/X), “LinkedIn” apo “Google”. Pra, ose i pranon këto terma si pjesë e realitetit gjuhësor, ose nuk i pranon, por nuk mund të bësh përzgjedhje rastësore.
Këtu del edhe çështja e konsistencës së huazimeve: a do t’i mbajmë format origjinale, apo do t’i përshtatim sipas fonetikës dhe drejtshkrimit të shqipes? Nëse fjalori mban “Instagram” si formë origjinale, pse të mos ketë edhe “Facebook”? Nëse synon përshtatje, pse të mos standardizojë “fejsbuk”, “tuitër”, “linkdin”, “gugëll” apo forma të tjera të njëtrajtshme? Aktualisht, duket sikur rregulli ndryshon nga fjala në fjalë. Apo ndoshta fjala “Instagram” është aty pasi edhe origjinali edhe transkripti fonetik janë të njëjtë!
Po ashtu, fjalë shumë të përdorura si “pëlqej” (në kuptimin e “like”) nuk pasqyrohen në përdorimin modern të mediave sociale. Edhe më me rëndësi: në fjalor nuk ekzistojnë “ueb”, “uebfaqe”, “onlajn” dhe “oflajn”. Mund të themi se në shqip përdoren edhe “kyçur” e “shkyçur”, por në përshkrimet e këtyre fjalëve nuk është integruar fare dimensioni i uebit dhe i digjitales. Kjo nuk është një mungesë e vogël: është boshllëk themelor për një fjalor që pretendon të jetë në shekullin e internetit.
Sporti
Sa i përket sportit, në fjalor gjenden disa fjalë nga futbolli dhe disa sporte të tjera, por mungon një gamë e gjerë sportesh që kanë arritje kulmore në Kosovë. Këtu mjafton një listë e shkurtër shembujsh të verifikueshëm për të parë problemin:
- për boksin del “apërkat/uppercut”, por mungon “kroshe”;
- termi “knockout” del i përzier si “nokaut” dhe “nokdaun”;
- për xhudon nuk gjenden shprehje bazë si “hajime”, “mate” dhe “osaekomi”.
Nëse për futbollin i kemi marrë shprehjet kryesisht nga anglishtja, atëherë s’ka arsye të mos marrim edhe termat nga japonishtja për xhudo dhe për sporte të tjera luftarake që përdorin terminologji të ngjashme. Përndryshe, krijohet një fjalor ku një sport ka “privilegjin” e përfshirjes, ndërsa tjetri - edhe pse i rëndësishëm për identitetin sportiv të Kosovës - mbetet jashtë.
Natyrisht, nuk mund t’i gjej të gjitha mungesat e këtij fjalori, por edhe kjo analizë e thjeshtë tregon se ai është i mangët në mbulimin e gjuhës shqipe që përdoret sot në këto dy fusha. E njëjta gjë më doli edhe në fushën e bankave, kriptos dhe fintekut - mungesa serioze.
Një tjetër problem është se fjalori, të paktën aq sa pashë unë, nuk tregon pjesën e ligjëratës për secilën fjalë: emër, folje, mbiemër apo kategori tjetër. Kjo është informatë bazë, sidomos kur synon standardizim. Një fjalor që nuk të thotë çfarë është fjala, të lë gjysmë pune.
Në fjalor vura re edhe disa çështje editoriale të panevojshme: përdorimi i germave të mëdha në çdo fjalë të titujve dhe një formulim ku gjuha shqipe quhet “gjuhë amtare”. Të dyja janë problematike. Mund të ketë studiues serbë, anglezë apo francezë të shqipes dhe, kur hyn në uebfaqe, ai nuk e quan shqipen “gjuhë amtare”. Këto janë detaje, por detajet e tilla tregojnë se projekti ende nuk është menduar si platformë universale, por si diçka e shkruar “për vete”.
Përshkrimet nuk kanë foto, nuk kanë video, nuk kanë etimologji, dhe shpesh janë shumë të shkurtra, jo të plota, ose edhe me gabime. Për një projekt onlajn, kjo është humbje e madhe e potencialit: uebi të lejon ta shpjegosh një fjalë me shembuj, me përdorime, me lidhje dhe me kontekst - jo vetëm me një fjali të thatë.
Megjithatë, mendoj se ka qenë hap i guximshëm i AShASh-it ta bëjë këtë projekt në ueb, sepse deri tash, më së shumti kanë shkruar libra për libra të tjerë. Tani, pyetja është: si e kthen këtë hap në një platformë që përditësohet dhe përmirësohet vazhdimisht?
Së pari, duhet një kriter i qartë dhe transparent se cilat fjalë përfshihen dhe si trajtohen huazimet. Së dyti, duhet një mekanizëm që e lidh fjalorin me realitetin e përdorimit të gjuhës - jo vetëm me intuitën e redaksisë.
Këtu hyn ideja e një zgjidhjeje moderne: ky fjalor duhet të lidhet me projektin e Fisnik Ismajlit për krijimin e fjalëve të reja dhe të ndërtohet një mekanizëm përditësimi me inteligjencën artificiale. Do të duhej një “makinë” kërkimi që i vëzhgon fjalët që përdoren realisht në shqipe (në portale, libra, dokumente publike, rrjete sociale), i krahason me databazën e fjalorit dhe propozon përkufizime për fjalët e reja ose për përdorimet e reja. Kjo do të krijonte edhe një debat publik për gjuhën - debat i mirëseardhur në këtë kohë kur hapësira publike është e mbushur me debate politike, por pak me debate për cilësinë e dijes dhe të komunikimit.



















































