LAJMI I FUNDIT:

Mungesa të NaCl e Glukozës, Shoqata e Distributorëve: Çmimet e caktuara nga MSH po krijojnë probleme në furnizim të barnatoreve

Mungesa të NaCl e Glukozës, Shoqata e Distributorëve: Çmimet e caktuara nga MSH po krijojnë probleme në furnizim të barnatoreve

Nivelizimi i çmimit të barnave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ndonëse është destinuar që të sjellë lehtësira për qytetarët dhe xhepin e tyre, ka prodhuar efekt negativ sa i përket furnizimit të barnatoreve me medikamente.

Së fundmi barnatoret në sektorin privat janë duke u përballur me mungesë të përfuzioneve si NaCl, glukozë e të tjera, pikërisht për shkak të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për nivelizimin e çmimit të barnave.

Një mungesë të këtyre produkteve që janë jetike për shëndetin e qytetarëve e kanë konfirmuar për Telegrafin edhe nga Shoqata e Distributoreve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës.


Mungesa e barnave esenciale, OFK: Vendimi për çmimin e barnave ka sjellë krizë në sektorin shëndetësor
Lexo po ashtu Mungesa e barnave esenciale, OFK: Vendimi për çmimin e barnave ka sjellë krizë në sektorin shëndetësor

Sipas shoqatës, arsyeja kryesore për mungesën e këtyre produkteve është çmimi i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, i cili sipas tyre është shumë i ulët dhe nuk mbulon kostot reale të furnizuesve.

“Po, kemi informata për mungesë në sektorin privat të të gjitha përfuzioneve si NaCl, Glukozë dhe të tjera, të cilat për shkak të çmimeve tejet të ulëta të miratuara (nën çmimin furnizues) nga ana e komisionit për deklarimin e çmimeve pranë MSH, furnitorëve ju është pamundësuar furnizimi permanent dhe importi i këtyre produkteve,” ka thënë nga Shoqata.

Ata gjithashtu shtojnë se Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një vendim të ri, i cili mund të ndihmojë në përmirësimin e situatës.

“Në ndërkohë, MSH ka nxjerrë një vendim të ri me të cilin distributoret farmaceutik ose BAM (Bartësit e Autorizimit të Marketingut ose përfaqësuesit e tyre) mund të aplikojnë me kërkesë për ndryshim /përmirësim të çmimit dhe ne besojmë që kjo do të na ndihmojë shumë në vazhdimësi të furnizimit dhe normalizim të tregut në përgjithësi me produkte farmaceutike”, thuhet në përgjigjen e SHDPFMK-së për Telegrafin.

Shoqata ka shpjeguar se çmimi i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë parasysh disa faktorë të rëndësishëm të kostos.

“Faktori kryesor është çmimi i caktuar ku në shumicën e rasteve, çmimi i miratuar nga MSH nuk është bërë sipas Nenit 8 të Ligjit sipas çmimeve mesatare të vendeve referente por sipas çmimit CIP, duke miratuar kështu çmime nën çmimet furnizuese,” ka theksuar Shoqata, duke shtuar se kostot e tjera, si transporti, leja e importit dhe operacionet e tjera, nuk janë përfshirë në çmimet e miratuara.

Një tjetër shqetësim që është shprehur nga barnatoret, është fakti që disa depo furnizuese po ofrojnë barna me çmime të vjetra, të cilat nuk përputhen me listën e çmimeve të reja të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës, ka theksuar se një nga problemet është stoku i krijuar nga depot farmaceutike, i cili është në çmime të vjetra dhe pa afate të qarta për zbrazjen e tij.

“Problem tjetër thelbësor janë stoqet e krijuara tek depot farmaceutike për të cilat MSH nuk ka dhënë ndonjë afat dhe alternativë për zbrazjen e stoqeve me çmime të vjetra. Prandaj barnatoret me të drejtë shqetësohen për furnizimet e reja, por edhe për stoqet e tyre të furnizimeve të mëhershme, pasi që në rast se stoku i blerë më herët nga barnatorja (për çka janë paguar taksat ndaj shtetit në bazë të çmimeve të blera/paguara) sikur të shitej në çmimin e blerë (sipas çmimeve të miratuara) do të kishte humbje të konsiderueshme financiare.” ka deklaruar Shoqata.

Lista e Çmimeve të Barnave, MSh: Nuk ka shtyrje të afatit të implementimit
Lexo po ashtu Lista e Çmimeve të Barnave, MSh: Nuk ka shtyrje të afatit të implementimit

SHDPFMK ka kërkuar një periudhë kohore për zbrazjen e këtyre stoqeve dhe fillimin e importimit të produkteve me çmime të reja, duke kërkuar që ky proces të mundësohet në një afat prej 3-6 muajsh.

“Ne si Shoqatë kemi kërkuar disa herë përmes kërkesave të shkruara dhe reagimeve publike nga MSH që të mundësojë një afat prej 3-6 muaj për zbrazje të stoqeve nga depot dhe barnatoret, kurse me zbrazjen e stoqeve të vjetra të fillohet me importin e produkteve me çmime të reja (aty ku është e mundur dhe e leverdishme)”, thuhet në përgjigjen e SHDPFMK-së për Telegrafin.

Shoqata e Distributoreve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe palët e tjera të interesuara për të siguruar furnizimin e vazhdueshëm me barna esenciale dhe për të ndaluar praktikat e shitjes me çmime të vjetra.

“Bazuar në ligjin aktual, ne në Shoqatë në çdo kohë jemi të gatshëm të ulemi dhe të japim maksimumin për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët, si Distributorët farmaceutik, Ministria e Shëndetësisë dhe pacienti, pra duhet të jemi të kujdesshëm në gjetjen e formulës për një qëndrueshmëri financiare te distributoreve farmaceutik dhe furnizim të pandërprerë me barna”, kanë përfunduar ata.

Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë rreth situatës së krijuar, por të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur.

Kujtojmë se Ligji për çmimin e produkteve medicinale nr. 08/L-220 ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2023, ndërkaq Lista zyrtare e çmimeve, sipas vendimit nr. 05-10072, datë 23.12.2024, ka hyrë në fuqi nga data 01.02.2025. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Aleanca ushtarake, reagon sërish Vuçiq: Shqipëria dhe Kroacia kanë hapur

Aleanca ushtarake, reagon sërish Vuçiq: Shqipëria dhe Kroacia kanë hapur "garë armësh" pas memorandumit me Kosovën

Lajme
Doarsa Kica-Xhelili shpjegon reagimin ndaj Avdullah Hotit

Doarsa Kica-Xhelili shpjegon reagimin ndaj Avdullah Hotit

Politikë
Kajtazi: Janë 720 spiunë në Kosovë, Shabani e Qerimi nuk janë kryesorët

Kajtazi: Janë 720 spiunë në Kosovë, Shabani e Qerimi nuk janë kryesorët

Siguri
Kica-Xhelili: Disa opinionistëve po u pengon qëndrimi i LDK-së që mos të hyjmë në koalicion me LVV-në e as me PDK-në

Kica-Xhelili: Disa opinionistëve po u pengon qëndrimi i LDK-së që mos të hyjmë në koalicion me LVV-në e as me PDK-në

Politikë
Xhaxha e nip bënin “kërdinë” me mushka, goditet grupi shqiptar i trafikut të drogës në Itali

Xhaxha e nip bënin “kërdinë” me mushka, goditet grupi shqiptar i trafikut të drogës në Itali

Lajme
Haliti i pakënaqur me zgjedhjet: Një pjesë e madhe e Kosovës mbeti e pa përfaqësuar në grupin parlamentar të PDK-së

Haliti i pakënaqur me zgjedhjet: Një pjesë e madhe e Kosovës mbeti e pa përfaqësuar në grupin parlamentar të PDK-së

Politikë
Kalo në kategori