Mundësia të shkohet sërish në zgjedhje, profesori universitar kritikon mungesën e përgjegjësisë së partive

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një deklarate të martën ka lënë të kuptohet se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, mund të mos arrijë të formojë qeverinë e re, duke shtuar se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.
Profesori universitar, Faton Ismajli, gjatë emisionit FIVE në TV Dukagjini, ka thënë se kriza politike në vend është pasojë e degradimit të skenës politike dhe mungesës së përgjegjësisë së partive.
Ai shtoi se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi partinë fituese, por edhe mbi opozitën.
“Në fakt, theksi duhet vendosur te konstatimi i zotit Kurti se as opozita nuk ka alternativë dhe nuk ka mundësi të formojë qeverinë. Edhe pashmangshëm jemi drejt përfundimit të mandatit dhe zgjedhjeve të reja. Megjithëse përpjekjet e partisë së parë për të krijuar shumicën nuk kanë qenë serioze,” tha Ismajli.
Ai shtoi se partitë politike veprojnë brenda interesave të ngushta personale dhe shpesh nuk mendojnë për interesin shtetëror, ndërsa emancipimi politik po ndodh më shumë te qytetarët sesa te partitë.
“Vitet e fundit kemi degradim të hierarkisë së vlerave politike. Partitë politike asgjë nuk shohin përtej interesit të ngushtë personal. Edhe zgjedhjet lokale e treguan këtë emancipim të votuesve, më shumë se të partive politike. Është e pabesueshme që partitë politike shqiptare, 25 vjet pasluftës, bllokojnë shtetin për 8 muaj duke mos themeluar institucionet për shkak të interesit pur politik,” tha Ismajli.
Ai theksoi se përgjegjësia është e përbashkët, dhe pavarësisht degradimit të partisë fituese, partitë opozitare gjithashtu kanë rënë në lojën e partisë së madhe, duke munguar vizioni për interesin e shtetit dhe qytetarëve.
- YouTube www.youtube.com







































