LAJMI I FUNDIT:

A mund të zbulojë gjininë e bebes dukja e stomakut

A mund të zbulojë gjininë e bebes dukja e stomakut

Sapo ndonjë femër tregon që është shtatzënë, gjithmonë gjendet dikush në rrethin e saj që do të “vlerësojë” stomakun e saj dhe në bazë të kësaj supozojë se a do të lindë vajzë apo djalë

Derisa disa supozojnë që nëse stomaku është “i gjerë” edhe bebja poshtë, ndërkaq shtatzëna shton peshë përreth gjithë stomakut, do të lindë vajzë, ndërkaq nëse stomaku është lart dhe i formësuar përpara, do të lindë djalë, kjo kurrë nuk është vërtetuar, transmeton Telegrafi.

“Kurrë nuk janë bërë hulumtime të cilat do të konfirmonin këtë teori”, thotë ajo. Gjithashtu, ka edhe të tillë të cilat supozojnë se e cilës gjini do të jetë bebja në bazë të dukjes së përgjithshme të shtatzënës – çfarë flokësh ka, a po shkëlqen… mirëpo as kjo nuk është argumentuar me të dhëna shkencore, thotë mamia Amanda Budd.

Mamia thekson që parashikimet e tilla janë vetëm supozime dhe që dukja e stomakut të shtatzënës varet nga gjëra të tjera.

“Çdo trup është unik, si edhe gjurmët e gishtave”, thotë ajo. Për shembull, mitra është në formë dardhe me rastin e lindjes së parë, mirëpo pas saj më shumë ka formë molle, gjë që mund të ndikojë edhe në dukjen e stomakut.

Tonusi i simetrisë abdominale dhe i muskujve të mitrës, si edhe i ligamenteve, gjithashtu ndikojnë në formën e mitrës. Prandaj femrat të cilat tashmë kanë lindur kryesisht kanë stomak më të madh në muajt e parë të shtatzënisë.

Faktorët e tjerë, si ai se sa jeni në formë të mirë dhe çfarë ju është tonusi i muskujve, mund të ndikojnë në dukjen dhe madhësinë e stomakut.

Mamia sqaron që femrat të cilat kanë tonus më të madh të muskujve të stomakut kanë stomak më të vogël në shtatzëni.

Edhe gjatësia mund të ketë rolin e vet. Shtatzënat shtatshkurtra më së shpeshti beben e bartin poshtë dhe stomaku është më i madh, ndërsa te femrat shtatgjata stomaku më vonë vërehet, sepse kanë “më shumë hapësirë” për beben në stomak.

Pos kësaj, edhe pozita e bebes ndikon në dukjen e stomakut. Nëse bebja është në pozitë horizontale, stomaku do të duket ndryshe se sa kur është në pozitë vertikale.

Nëse është e kthyer me kokë poshtë, stomaku do të duket më i vogël. Natyrisht, edhe ajo se sa shtatzëna shton peshë ndikon në dukjen e stomakut, ndërkaq rolin në të kanë edhe gjenetika dhe mosha e shtatzënës.

Pra, është fakt që e vetmja mënyrë që me siguri ta dini a keni djalë apo vajzë është të bëni ndonjë test, gjë që te ne më së shpeshti bëhet me ultrazë.

Opsioni tjetër është të prisni deri sa të lindni, dhe vetëm atëherë të mësoni a do të jeni nënë e djalit apo e vajzës. /Telegrafi/