Mugosa: Kosova ka skuadër dhe individë të shkëlqyer
Stefan Mugosa është njëri nga lojtarët që duhet shikuar në ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të vlefshme për kualifikimet për 'Euro 2020'.
Sulmuesi i klubit korean, Incheon United, ishte pikërisht lojtari që i shënoi Përfaqësueses sonë në ndeshjen e parë të zhvilluar në Podgoricë (që u mbyll me rezultat 1-1).
Gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes së të hënës mbrëma, ai ka thënë se përfaqësuesja e tij dëshiron ta regjistrojë fitoren e parë të këtyre kualifikimeve në "Fadil Vokrri", ka deklaruar Mugosa, i cili i ka shënuar dy nga tre golat totalë të malazezëve në këtë fazë.
"Asnjëherë nuk tërhiqemi, nuk do të ndalemi as tash - e duam fitoren e parë në kualifikime. E dimë se Kosova ka skuadër të shkëlqyer dhe individë të shkëlqyer, por kemi ardhur këtu për fitore", ka shtuar ai.
Nga gjashtë ndeshje të zhvilluara, Mali i Zi ka regjistruar tri barazime dhe tri humbje, dhe është akoma në kërkim të fitores. /Telegrafi/






























