Mozzik ka bërë lëmsh rrjetin me publikimin e këngës së tij më të fundit, “Diss”, e cila vjen me një tekst kontrovers dhe befasues, që me shumë gjasë do të përflitet gjatë në rrjetet sociale.

Përmes një kënge gjashtëminutëshe, ai u hodhi disa thumba reperëve të skenës, ndërsa disa vargje në veçanti u interpretuan si mesazhe të drejtuara ndaj figurave të caktuara, ndonëse asnjë emër nuk përmendet drejtpërdrejt.


Më vonë, Mozzik shkon edhe më tej, duke elaboruar dhe duke i hedhur “diss” edhe vetes.


Në këtë këngë, ai flet për paragjykimet e shumta me të cilat është përballur dhe për komentet që kanë shoqëruar jetën e tij private, përfshirë raportin me ish-bashkëshorten Loredana, si dhe lidhjen e saj me futbollistin Karim Adeyemi.

Duke qenë se Mozzik dhe Loredana kanë një vajzë së bashku, reperi duket se u është përgjigjur komenteve të shumta që lidhen me marrëdhënien e rep-artistes me Adeyemin dhe rolin e këtij të fundit në jetën e saj dhe të vajzës së tij.

Po ashtu, Mozzik ka përmendur edhe partneren e tij aktuale, Lotinën, ndërsa më tej në tekst janë përfshirë edhe figura politike, si ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kryeministri Albin Kurti.