Konkurrentet e Miss Universe realizuan një bojkot të paprecedentë duke braktisur një nga aktivitetet zyrtare, në shenjë solidarizimi me Miss Meksikën, pasi presidenti i konkursit e qortoi publikisht duke e akuzuar se “nuk tregoi respekt”.

Victoria Theilvig, danezja që fitoi titullin e madh vitin e kaluar, u largua nga ceremonia e vendosjes së shamive në hotelin e delegateve në Bangkok, Tajlandë, pasi drejtuesi e kritikoi rëndë Fátima-n para dhjetëra bukurosheve të tjera.


Pamje të reja tregojnë Nawatin duke u përpjekur të arsyetojë deklaratat e tij, teksa pranoi se “është vetëm njeri” dhe se nuk kishte synuar të shkaktonte kaq shumë debat, shkruan DailyMail.

“Jam njeri. Nuk kam dashur të bëj diçka të tillë”, tha drejtori i Miss Universe Thailand. Më vonë, ai kërkoi falje edhe para një grupi tjetër njerëzish, ndërsa pas tij qëndronin delegate nga vende të ndryshme.

“Nuk kam pasur qëllim të lëndoj askënd sepse i respektoj të gjithë. Më vjen shumë keq që ndodhi kjo. Së pari, dua t’u kërkoj falje të gjitha konkurrenteve. Nëse dikush u ndje e prekur apo e pasigurt nga ajo që ndodhi, më vjen sinqerisht keq”, shtoi ai.

Faljet erdhën një ditë pasi përplasja e tij me përfaqësuesen e Meksikës bëri bujë gjatë një ngjarjeje paralajmëruese të konkursit.

Nawat e veçoi Miss Meksikën para të gjithëve, duke e kritikuar për faktin se nuk kishte marrë pjesë në një xhirim me sponsorët më herët gjatë ditës.

“Meksika, ku je? Kam dëgjuar që nuk do të mbështesësh asgjë që ka të bëjë me Tajlandën. A është e vërtetë?” – i tha ai, para se ta quante “budallaqe”.

“S’po merrem ende me të gjithë, pse po vazhdon të flasësh me mua?” vazhdoi ai, duke e qortuar.

Victoria, 21 vjeçe, e cila u bashkua menjëherë me protestën dhe tha: “Kjo ka të bëjë me të drejtat e grave”.

“Të poshtërosh një vajzë tjetër – kjo është më shumë se mungesë respekti. Asgjë nga këto nuk përputhet me vlerat tona. Kështu që po marr pallton time dhe po largohem”, shtoi ajo.

Ngjarja ndodhi gjatë një ceremonie të transmetuar drejtpërdrejt, ku Nawat, në cilësinë e Nënkryetarit të Miss Universe për Azinë dhe Oqeaninë, e përballi 25-vjeçaren Fátima-n për mungesën e saj në xhirimin e sponsorit.

Në videon e publikuar në Facebook-un zyrtar të Miss Universe Thailand, ai i kërkon Fátimës të ngrihet dhe “të shpjegohet”, përpara se t’i udhëzojë rojet ta largojnë nga hoteli, pasi ajo këmbënguli “të përdorë zërin e saj”.

Në shenjë revolte kolektive, disa konkurrente u ngritën nga vendet e tyre, të gatshme të braktisnin ceremoninë së bashku me përfaqësuesen e Meksikës.

Nawat, i tensionuar, dëgjohet duke bërtitur “Ndalni! Ndalni!” ndërsa modelet nisën të largoheshin, dhe u urdhëronte: “Uluni!”

Kur Fátima i tha se nuk dëshironte të poshtërohej publikisht, ai e ndërpreu me mikrofon në dorë: “Nuk të dhashë fjalën! Jam ende duke folur! Dëgjo!”

“Kam një zë,” i është përgjigjur ajo, duke e akuzuar se “nuk po më respekton si grua”.

Përplasja vazhdoi me pyetjen e tij: “Mund të punosh për të promovuar Tajlandën apo jo – po apo jo?”

Dhe më pas urdhëroi sigurinë ta nxirrte jashtë.

Victoria, e cila vitin e kaluar fitoi kurorën në edicionin e 73-të në Mexico City, u largua së bashku me Miss Meksikën dhe më vonë tha në një video se nuk do të qëndronte në event.

“Ne i respektojmë të gjithë, por kjo nuk është mënyra se si trajtohen gratë,” deklaroi ajo.

Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke marrë mbështetje dhe duartrokitje nga publikë dhe ish-konkurrente të konkursit.

Fansat e konsideruan veprimin e Victorias si një akt integriteti dhe guximi, ndërsa influencuesit e quajtën “momentin më fuqizues në historinë e Miss Universe”. /Telegrafi/