LAJMI I FUNDIT:

Mjeshtri Terry O’Neill, për fotot e gjigantëve të pop-kulturës: David Bowie ishte njëshi!

Mjeshtri Terry O’Neill, për fotot e gjigantëve të pop-kulturës: David Bowie ishte njëshi!
David Bowie gjatë xhirimeve të filmit “The Man Who Fell to Earth” (foto: Terry O’Neill, 1976)

I fotografoi yjet më të mëdhenj të Globit, por David Bowie ishte i preferuari i tij. Terry O’Neill kujton hijeshinë e yllit, veshjet e tij të çuditshme dhe fotot nën efektin e drogës. Pjesë të shkrimit të gazetarit Thomas Hobbs, Telegrafi sjell më poshtë.

Faye Dunaway (foto: Terry O’Neill. 1977)

Që nga Audrey Hepburn e deri tek The Beatles, nga Frank Sinatra te Elton John… s’kanë mbetur shumë pop-ikona që Terry O’Neill s’i ka fotografuar. Një nga subjektet e tij, aktorja Hollivudit, Faye Dunaway – të cilën e kapi të lodhur nga dehja e të rrethuar nga gazetat një mëngjes (pasi fitoi Oscarin më 1977) – u bë gruaja e tij. Kujtimi për të tash e irriton, për çka thotë se rrallëherë është ide e mirë që fotografi të bie në dashuri me një nga subjektet.


“I humba 12 vjet të jetës time”, thotë ai.

Megjithatë, fotografi legjendar insiston se asnjë prej këtyre yjeve nuk krahasohet me David Bowien.

David Bowie në personazhin Ziggy Stardust (foto: Terry O’Neill, 1973)

“Ishte muza ime krijuese”, thotë O’Neill përmes telefonit. “Ishte aq simpatik dhe i ngrohtë; një nga njerëzit e paktë – përveç Fayet – me të cilët me të vërtetë u ndjeva miqësor”.

Aktualisht vuan nga kanceri i prostatës, ndaj O’Neilli është i kufizuar në shtrat dhe pranon se nuk ka forcë. Por, përmendja e Bowiet e forcon 81-vjeçarin.

“E trajtova Davidin si aktor shekspirian, meqë nuk mund ta dije se si do të shfaqej”, thotë ai. “Mund të dukej si jashtëtokësor ose si femër; gjithçka ishte e paparashikueshme”.

David Bowie në personazhin Thin White Duke (foto: Terry O’Neill, 1974)

Gjatë një periudhe 20-vjeçare, O’Neill e ka kapur artin e formësimit të Bowiet më mirë se çdokënd tjetër, duke qëndruar pas aparatit teksa këngëtari u shndërrua në avatarin teatral Ziggy Stardust dhe më pas në personazhin Thin White Duke, i cili më 1976, për revistën “Rolling Stone” tha: “Mendoj se kam mundur të jem një Hitler i mirë. Do të isha diktator i shkëlqyer”.

Por, O’Neill reagon: “S’e mbaj mend të ketë thënë gjëra të tilla”.

Audrey Hepburn (foto: Terry O’Neill, 1967)

Fotografitë e O’Neillit janë të fuqishme, meqë ende janë në gjendje të demistifikojnë disa nga ikonat më të mëdha të shekullit XX. Fotografitë e tij të Audrey Hepburnit, për shembull, shkuan përtej klisheve të bukurisë së saj delikate, duke i dhënë përparësi anës së saj të pamend (teksa bën grimasa qesharake kur pushonte pranë pishinës).

Winston Churchill (foto: Terry O’Neill, 1962)

Ndërkohë, fuqia e jashtëzakonshme e Winston Churchillit është diçka që O’Neill e bëri copa. Kështu, shihet një plak i dobët i cili mendonte ta ruante iluzionin e bulldogut britanik me cigarillë, përkundër faktit se ishte aq i dobët (për çka bartej me karrige).

“Ishte viti 1962 dhe unë isha duke shkuar në shtëpi kur pashë një turmë”, kujton ai. “Depërtova për të bërë një fotografi. Ishte Churchilli duke e lënë spitalin. Nuk e dija tërë historinë e tij, kështu që fotografova atë që ishte para meje. Më ka ndihmuar fakti se s’kisha ndonjë bagazh emocional”.

Laurence Olivier (foto: Terry O’Neill, 1962)

Tre vjet më parë, O’Neill kishte filluar të punonte për “Daily Sketch”.

“Doja të isha si W Eugene Smith, një fotoreporter i shkëlqyeshëm. Imazhet e tij ishin plot të vërteta… Një nga momentet e para të rëndësishme që mund të kujtojë është një fotografi e Laurence Olivierit të veshur si grua, për shfaqjen “Nata e njëqind yjeve”.

Ky ishte një si trajnim perfekt për fluiditetin gjinor të Bowiet.

The Beatles (foto: Terry O’Neill, 1961)

Meqë ishte i ri, pakkush donte të bashkëpunonte më të. Por, dalja në skenë e grupeve si The Beatles dhe Rolling Stones, ishte shans i ri për të dhe lirinë e tij krijuese.

“Mbaj mend se redaktori kërkoi të fotografoja këtë ‘grup të vogël’ të quajtur Beatles”, thotë O’Neill. “Të vjetrit nuk donin të bënin foto të tyre. Kështu që ne të rinjtë e kapëm shansin”.

David Bowie në serinë “Diamond Dogs” (Foto: Terry O’Neill, 1974)

Në kohën kur O’Neill nisi të bëjë foto të Bowiet, gjatë turneut të tij si Ziggy Stardust më 1973, ishte më tepër se një emër i respektuar në botën e fotografisë. Guximi skenik i Bowiet i la përshtypje O’Neillit, veçanërisht për faktin se nuk kishte frikë të dukej si femër në kohën kur mund të haje dajak për diçka të tillë. Mbi të gjitha, atij i pëlqeu fakti se Bowie e merrte përsipër dukjen e vet gjatë sesioneve të fotografimit, sidomos për serinë për albumin “Diamond Dogs” ku këngëtari kishte një pozë kafshërore. Ai e solli një qen që hidhej nga drita e blicit, duke kapur në mënyrë të përkryer llojin e kaosit avangard  që Bowie e kishte menduar për albumin e tij distopian, të frymëzuar nga vepra “1984” e George Orwellit.

“Fotografitë tona kishin një qëllim… Me Davidin nuk kishe nevojë të aranzhoje gjërat, ato vinin natyrishëm”.

David Bowie dhe William Burroughs (foto: Terry O’Neill, 1974)

Një vit më vonë, gjatë sesionit për revistën “Los Angeles”, O’Neill mund të fotografonte një person tjetër: Bowie duket i pikëlluar, sikur nuk ka fjetur.

“Kishte marrë shumë kokainë”, pranon O’Neill. “Ishte fut thellë në drogë”.

Një herë O’Neill e fotografon Bowein me një tjetër hero të kundër-kulturës.

“Një ditë më tha: ‘Eja nesër në zyre, se do ta sjell një person special’. Shkova dhe aty ishte William Burroughs. Të dy mbanin republikën në kokë dhe dukeshin si babë e bir”, thotë ai. “Ishte ideja e Davidid”.

David Bowie dhe Elizabeth Taylor (foto: Terry O’Neill, 1975)

Gjatë kësaj kohe, O’Neill dëgjoi se Elizabeth Taylor donte të luante me Bowien në filmin e saj të ri “Blue Bird”, kështu që kërkoi set të fotografive të të dyve. Por, Bowie u shfaq me katër orë vonesë.

“Veç për shkak të profesionalizmit të Lizës, u bënë fotot”, thotë ai. “Davidi erdh i droguar”.

Në këto fotografi Taylor duket e irrituar se pse u la të presë kaq gjatë, ndërkaq Bowie e përqafon si me kërkimfalje. Gjatë fotografimit, Taylor u zbut dhe Bowie e përqafonte me më shumë ndjeshmëri. Në fund të ditës dukeshin më shumë si të dashuruar sesa të njohur.

“Me hijeshinë e tij, Bowie mund të ndikonte te gratë”, thotë O’Neill, “dhe kjo është ajo që ndodhi atë ditë. Por, Liza kurrë nuk ia dha atij rolin në film”.

Frank Sinatra (foto: Terry O’Neill, 1968)

Bowie nuk ishte asgjë gjë përveçse interesant, mendon O’Neill, i cili insiston se yjet moderne të popit janë të llastuar dhe se nuk janë interesantë sa njerëzit që pati fat t’i fotografonte. Kur e pyes nëse do të donte të fotografonte një yll si Beyoncé, ai thotë:

“Natyrisht se jo. Nuk ma ndien më për yjet e popit. S’ka mbetur kush që dua ta fotografoj. Ndaj, s’kam interes. Nuk ka më këngëtarë të mëdhenj të popit si Elton John. Aktet e reja thjesht nuk janë interesante për t’u parë. Ishte e tmerrshme kur vdiq Frank Sinatra dhe të tjerët. Ndjehej fundi i një epoke”. /Telegrafi/