Mjeshtri i "kung-fu" ka pëllëmbë 7 cm të trashë pas 20 vitesh stërvitje ekstreme

Një mjeshtër i arteve marciale nga Kina, Zhang Longxiang, ka praktikuar për më shumë se dy dekada teknikën e njohur si Iron Sand Palm, një metodë tradicionale e forcimit të duarve në kung-fu.
Si rezultat i këtij trajnimi intensiv, pëllëmbët e tij janë bërë jashtëzakonisht të trasha – rreth 3 inch (rreth 8 centimetra).
Iron Sand Palm është një metodë e famshme e Shaolinit që përfshin goditjen e vazhdueshme të duarve në thasë të mbushur me materiale të ndryshme (si rërë, fasule apo grimca metalike), me qëllim forcimin e kockave, tendinave dhe rritjen e rezistencës ndaj dhimbjes dhe goditjeve.
Zhang Longxiang filloi të mësonte këtë teknikë pasi u impresionua nga një mjeshtër tjetër i kung-fu dhe vendosi ta ndiqte rrugën e tij. Ai kaloi vite të tëra si nxënës dhe më pas vazhdoi trajnimin e përditshëm.

Sipas tij, stërvitja ishte shumë e lodhshme dhe e dhimbshme. Ai godiste thasët me rërë deri në 6000 herë në ditë dhe stërvitej për 2–3 orë çdo ditë për dekada.
“Stërvitja është e mërzitshme dhe e dhimbshme. Nuk ka sekret. Sa më shumë të praktikosh, aq më i mirë bëhesh”, ka thënë ai.
Gjatë viteve, duart e tij pësuan dëmtime të vazhdueshme dhe zhvilluan trashje të madhe të lëkurës dhe indeve. Me kalimin e kohës, pëllëmbët e tij u bënë aq të forta sa ai mund të thyente tulla, të godiste gozhda në dru dhe të përballonte goditje të forta pa lëndime serioze.
Sot, Zhang Longxiang konsiderohet një mjeshtër i kësaj teknike dhe merr pjesë në demonstrime të arteve marciale, ku tregon aftësitë e tij duke thyer objekte të forta me duar të zhveshura.
Ekspertët shpjegojnë se ky fenomen nuk ka të bëjë me “energji mistike”, por me përshtatjen e trupit ndaj stresit të vazhdueshëm fizik: lëkura trashet, indet forcohen dhe kockat pësojnë ndryshime strukturore për t’u bërë më rezistente. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com


































