Mitrovica International Jazz Days 2025: Pranverë xhazi në Mitrovicë dhe Prishtinë me artistë ndërkombëtarë

Festivali më i rëndësishëm i muzikës jazz në vend, Mitrovica International Jazz Days (MIJD), rikthehet këtë prill me një edicion të veçantë, duke sjellë koncerte të nivelit të lartë në Mitrovicë dhe Prishtinë, dhe me pjesëmarrjen e disa prej artistëve më të njohur të skenës ndërkombëtare të jazz-it.
Këtë vit, MIJD është bërë pjesë e Green Touring Network, një nismë evropiane që synon të mbështesë qarkullimin e qëndrueshëm të artistëve dhe të reduktojë ndikimin ekologjik të turneve muzikore. Iniciativa është ndërmarrë nga JAZZAHEAD!, panairi më i madh i jazz-it në botë, i cili mbahet çdo vit në Bremen të Gjermanisë.
Në kuadër të kësaj nisme, në Kosovë vjen për herë të parë Nils Kugelmann Trio, një formacion i përzgjedhur zyrtarisht nga juria e JAZZAHEAD! dhe i promovuar nga stenda gjermane e jazz-it.
Pas dy edicioneve me koncerte falas që sollën artistë të njohur si Richard Bona, Michael League & Bill Laurance (Snarky Puppy) dhe Gunhild Carling, këtë vit MIJD prezanton për herë të parë koncerte me biletë. Kjo nismë shihet si një hap i rëndësishëm për të garantuar cilësinë artistike dhe qëndrueshmërinë financiare të festivalit në vitet në vijim.
Përveç pjesës artistike, MIJD ka qenë gjithmonë i angazhuar edhe në promovimin e artistëve të rinj, fuqizimin e grave në jazz, edukimin muzikor për të rinjtë, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe organizimin e rezidencave për muzikantët e Ballkanit Perëndimor.
Programi i koncerteve për vitin 2025 është si vijon:
Mitrovicë – Qendra Kulturore “Rexhep Mitrovica”
- 29 Prill, ora 20:00 – Elina Duni & Rob Luft (Zvicër/Shqipëri dhe Mbretëri e Bashkuar)
- 1 Maj, ora 20:00 – Nils Kugelmann Trio (Gjermani) – koncert falas
Prishtinë – Amfiteatri i ri pranë Bibliotekës Universitare
- 30 Prill, ora 20:30 – Aziza Mustafa Zadeh (Azerbajxhan)
Organizatorët kanë bërë thirrje për mbështetjen e publikut përmes blerjes së biletave, duke theksuar se çdo kontribut ndihmon në mbajtjen gjallë të një festivali të hapur, të përfshirë dhe të qëndrueshëm për të gjithë.
Ky edicion i MIJD realizohet me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Komunës së Mitrovicës, Komunës së Prishtinës dhe Goethe Zentrum Pristina.
Festivali do të zhvillohet në përputhje me kalendarin ndërkombëtar të International Jazz Day, me synimin për të promovuar jo vetëm muzikën jazz, por edhe vlerat e bashkëjetesës, krijimtarisë dhe qëndrueshmërisë kulturore në Kosovë dhe më gjerë. /Telegrafi/












































