LAJMI I FUNDIT:

Mitizimi i banditëve!

Mitizimi i banditëve!
Ilustrim

Çdo shoqëri ka brenda saj shtresa sociale të cilat dallohen për nga njëra-tjetra nga disa elementë mbi të cilët edhe perceptimi i përgjithshëm qytetar uniformohet. Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të analizojmë shtresat sociale e as t’i hyjmë problemeve që hasin në përditshmërinë e vendit ku jetojmë, por nuk mund të të mos bjerë në sy një zell i madh për të dhënë lajme, kronika, emisione, intervista mbi njerëz që kanë probleme shumë serioze me respektimin e ligjit e ndaj të cilëve zhvillohen hetime apo gjykime të karakterit penal.

Mundësitë e gjasat janë që sasia e madhe e mediave kërkon informacion dhe ky informacion ndoshta, për arsye mungese të infrastrukturës së mediave, nuk mund të mbushet pa i lënë një vend të rëndësishëm lajmeve të kronikës ku përfshihen elementë kriminal të “vjetër” apo “të rinj”.


Kjo sasi informacioni, që vjen kryesisht nga dyert e policisë, prokurorisë dhe gjykatave shqiptare, po bëhet dita-ditës mbytëse dhe shqetësuese për ndjekësin mesatar të medias të shkruar, elektronike apo portaleve të shumtë që pa asnjë standard publikojnë “lajme” të zeza. Nuk mbeten pas edhe organe të tjera publike, por kryesisht fokusohemi te ato më sipër.

Në radhë të parë del qartë që në këtë vend, brenda gjykatave dhe prokurorive, paskemi informatorë që “konkurrojnë pandershmërisht” zyrat e shtypit të këtyre institucioneve që zyrtarisht paguhen për të informuar publikun mbi ushtrimin e detyrave kushtetuese dhe ligjore që ju janë ngarkuar atyre.

Në radhë të dytë, këta informatorë nuk kuptohet se për çfarë arsyeje duhet të nxjerrin (deri edhe foto apo përgjime) informacione që i përkasin vetëm shqyrtimit nga organet e përfshira e që kanë kompetencat ligjore për ti trajtuar në respekt të disa ligjeve që nuk mungojnë në këtë vend.

Më e rëndësishmja është që, me këto informacione, po “ushqehet” pa kriter një publik i cili vë re një mitizim të personazheve kriminale deri në atë pikë sa vihet seriozisht në rrezik edhe vetë qëllimi i dhënies së lajmit. Pyetja është: lajmi, kronika, emisioni jepet për ta luftuar aspektin kriminal që ka ndodhur apo për ta mitizuar atë?

Nuk mund të mos përmendet në këtë pikë roli i vakët i policisë së shtetit dhe prokurorisë që, edhe përse kanë drejtpërdrejt përgjegjësi në nxjerrjen e informacioneve të hetimit apo gjykimit, nuk hetojnë e më tej të parandalojnë këtë “rrjedhje” informacioni që në shumicën e rasteve paragjykon edhe vetë punën e tyre ndaj krimit. Në të gjithë këtë tablo nuk gjendet një institucion shtetëror që të kontrollojë duke rregulluar sasinë, cilësinë dhe rëndësinë e lajmeve që dalin nga dosje, hetime, polici, prokurori apo gjykata duke e lejuar dhe “certifikuar” këtë mënyrë pune që paragjykon punën e organeve ligjzbatuese dhe nga ana tjetër mitizon kriminelë dhe vepra kriminale duke krijuar një situatë surreale për një vend me aspiratë anëtarësimi në familjen evropiane.

E drejta e medias për të informuar publikun, në shumë raste, është e kufizuar nga të drejta të tjera individuale dhe kolektive që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut shumë qartë ka vendosur me jurisprudencën e saj.

Nga sasia e lajmeve me krim dhe kriminalitet, në atë përqindje që jepet në mediat shqiptare, nuk mund të presim që të kemi një brez të ri të motivuar ndaj të mirës, një shoqëri të shëndoshë e cila më tej të promovojë pjesë të shoqërisë që të ketë kontribut në jetën shoqërore të vendit. Nuk do shumë të konkludosh që përgjegjës për këtë, në radhë të parë, janë organet shtetërore që e trajtojnë informacionin që disponojnë për arsye detyre si bakshish e më tej i ndjekin mediat e gazetarët që me lajmet e tyre mitizojnë banda e banditë të çdo lloji e kalibri.