Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se ka marrë një vendim për racionalizimin e hapësirave administrative, me qëllim uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit institucional.

Sipas njoftimit, ky vendim parasheh zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike, duke shmangur shpenzimet për qira dhe duke shfrytëzuar më mirë pronën shtetërore.


“Sot kam nënshkruar një vendim për racionalizimin e hapësirave administrative në Ministrinë e Bujqësisë. Ky vendim hap rrugën për zhvendosjen e Ministrisë dhe institucioneve vartëse në objekte publike, duke shfrytëzuar pronën e shtetit dhe duke i dhënë fund kostove të panevojshme të qirasë”, ka njoftuar ministri Armend Muja.

Po ashtu, bëhet e ditur se do të krijohen edhe Qendra të Integruara për Shërbime Bujqësore, të cilat synojnë të ofrojnë shërbime më të shpejta dhe më të afërta për fermerët.

“Po ashtu, po krijojmë Qendra të Integruara për Shërbime Bujqësore, që do të ofrojnë shërbime më të organizuara, më të shpejta dhe më afër fermerit”, thuhet më tej.

Sipas Ministrisë, masat e ndërmarra pritet të sjellin kursime prej rreth 1 milion euro në vit, të cilat do të ridrejtohen në investime konkrete në sektorin e bujqësisë.

“Rezultati: rreth 1 milion € kursime në vit. Këto kursime do të kthehen menjëherë në investime konkrete”, thuhet në njoftim, duke përmendur mbështetjen për prodhimin vendor, investimet në mekanizim dhe teknologji bujqësore, zgjerimin e ujitjes si dhe përkrahjen për të rinjtë dhe gratë në bujqësi.

Në fund, theksohet se synimi është ndërtimi i një administrate më efikase dhe më të orientuar drejt qytetarëve.

“Po ndërtojmë një administratë që kursen aty ku duhet dhe investon aty ku ka më shumë ndikim për qytetarët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/