LAJMI I FUNDIT:

Ministri Hamza ia dorëzon Apostolovës Programin për Reforma në Ekonomi

Ministri Hamza ia dorëzon Apostolovës Programin për Reforma në Ekonomi

Ministri i Financave, Bedri Hamza, sot ka dorëzuar në Zyrat e Komisionit Evropian, Programin për Reforma në Ekonomi 2018-2020.

Ai tha se programi i reformave edhe këtë vit u përmbahet plotësisht instruksioneve dhe kritereve për analizë rigoroze të përcaktuara nga Komisioni Evropian.


“Për herë të parë, ky program është hartuar me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të palëve me interes nga shoqëria civile dhe komuniteti i bizneseve, duke u bazuar në një proces gjithëpërfshirës të konsultimeve. Po ashtu, edhe institucionet e pavarura publike kanë dhënë kontribut të drejtpërdrejt në azhurnimin e këtij programi”, tha Hamza në fjalimin e tij.

Për më tepër, Hamza tha se janë të vetëdijshëm që Kosovën e pret një rrugë e gjatë e transformimit për të arritur konvergjencë me anëtarët e Unionit.

“Përsosja e ekonomisë së tregut kërkon reforma afatgjate të cilat krijojnë një ambient për rritje të produktivitetit dhe gradualisht zhvillojnë aftësinë e ekonomisë për t’u përballur me konkurrencën e një tregu të vetëm evropian. Prandaj, programi për reforma në ekonomi është platformë që na mundëson përsosjen e planifikimit strategjik buxhetor dhe politik dhe mundëson efektivitet më të lartë të qeverisjes sonë”, tha ai.

Gjithashtu, ai tha se fokusi kryesor është vendosur në përmirësimin e ambientit rregullator

“Ambienti makroekonomik, për dallim nga viti i mëhershëm, është më i favorshëm, dhe ofron mundësi të mirë që mundësitë fiskale t’i drejtojmë nga reformat afatgjata. Rritja ekonomike pritet të tejkalojë 4.5%, ndërsa stoku i borxhit po rritet me kujdes, kryesisht përmes kredive koncesionare. Rreziqet janë të balancuara”, përfundoi ai. /Telegrafi/