Kolegji Europian i Kosovës, me sistem finlandez të edukimit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami gjatë tryezës debatuese me studentët dhe profesorët e Kolegjit Europian të Kosovës theksoi se Kolegji Europian i Kosovës ka marrë hapat e duhur për të siguruar cilësinë si dhe orientimin e duhur, duke u fokusuar në programet ndërkombëtare dhe ato profesionale.
Në kuadër të tryezës debatuese me temën “Rëndësia e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës”, Bajrami gjithashtu theksoi ndryshimet dhe të arriturat e ministrisë që ai drejton duke filluar nga largimi i taksës së jashtëligjshme për institucionet private, krijimin e barazisë së kolegjeve private dhe universiteteve publike, përkrahjen e studentëve kosovarë me mbi 100 bursa vetëm vitin e kaluar për studime jashtë vendit si dhe fokusimin e strategjisë së Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në krijimin e kuadrove profesionale për tregun e punës.
Kolegji Europian i Kosovës si institucion europian i arsimit të lartë aplikon sistemin finlandez të edukimit i cili është i orientuar në tregun e punës dhe studentëve qysh nga viti i parë iu ofrohen falas trajnime, vizita studimore, mysafirë folës si dhe punë praktike në kompanitë më të njohura vendore dhe ndërkombëtare.



















































