Pjesa më e madhe e udhëheqësve të agjencive buxhetore do të festojnë me familjet e tyre. Dikush në fshat e dikush në qytet.

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, do t’i presë kurbetçinjtë për ta pritur në shtëpi natën e ndërrimit të moteve, derisa ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, natën e Vitit të Ri do ta presë në shtëpi në pjesën veriore të Kosovës. E ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, do të shkojë në fshatin e lindjes, derisa ai i Tregtisë, Bernard Nikaj, te prindërit në Gjakovë.


Mujota: Vitin e Ri me mërgimtarët

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, thotë se natën e ndërrimit të moteve do ta presë sipas traditave. Ai thotë se kjo festë, përveç tjerash, bashkon familjarët.
“Traditën do ta mbajmë për natën e Viti të Ri. Zakonisht na kthehen familjarët kurbetçinj dhe si familje e gjerë këtë natë jemi në katund. Sa për shpenzime e di se do të jenë modeste, sepse me disa përparësi që i ka katundi kalohet mesatarisht mirë me buxhet modest”, ka thënë Mujota.

Rexhepi: Në shtëpi me familje

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka vendosur që në natën e Vitit të Ri, të kthehet në vendlindje së bashku me familjen e tij. Ai thotë se këtë festë do ta kalojë pa shpenzime të mëdha. “Natën e ndërrimit të moteve do ta pres në shtëpi me familje në pjesën veriore. Shpenzime pak më shumë se ndonjë natë të zakonshme”, ka thënë Rexhepi.

Çitaku: Me familje dhe miq

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, nuk do të shpenzojë diçka më veçantë këtë festë. Ajo në natën e ndërrimit të moteve do të jetë pranë familjes dhe miqve. “Vitin e Ri do ta pres me miq dhe familjarë, pa shpenzime, si çdo ditë tjetër”, ka thënë Çitaku.

Kuçi: Në fshat me prindër

Edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, nuk do të shpenzojë shumë në këtë festë. Ai në natën e ndërrimit të moteve do t’u kthehet prindërve në fshatin e tij të lindjes, në Lutogllavë të Pejës. “Do ta pres me prindër në fshat”, ka thënë Kuçi.

Nikaj: Në Gjakovë me prindër

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, nuk e di se sa do të shpenzojë në natën e Vitit të Ri, pasi që thotë nuk është ai që blen gjërat gjatë festës. Nikaj thotë se natën e ndërrimit të moteve do ta presë me familje në Gjakovë. “Vitin e Ri si çdo vit do ta pres me familje te prindërit e mi në Gjakovë. Sa i përket shpenzimeve, të them të drejtën nuk kam planifikuar fare, meqë babi im merret me përgatitjet”, ka thënë Nikaj.

Makolli: Në shtëpi...

Edhe ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, njëjtë sikur ministrat tjerë, nuk do të shpenzojë shumë këtë natë. Ai ka thënë se natën e ndërrimit të moteve do ta presë në shtëpi me familje. “Do ta pres me familje në shtëpi në Kosovë”, ka thënë Makolli.

Krasniqi: S’kam ndonjë shpenzim të veçantë

E për ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, festa e Vitit të Ri do të jetë një natë pothuajse e zakonshme. Ai për këtë festë nuk ka planifikuar ndonjë shpenzim të veçantë. “Si zakonisht, unë Vitin e Ri e pres me familje në banesë dhe nuk kemi ndonjë shpenzim të veçantë”, ka thënë Krasniqi.

Gashi: Nuk kam vendosur ende për festë

Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, nuk ka vendosur se ku do të presë natën e ndërrimit të moteve. “Nuk kam vendos hala asgjë, po besoj në shtëpi”, ka thënë Gashi. /Tribuna/