LAJMI I FUNDIT:

Mimoza Ahmeti, me një roman për dashurinë

Mimoza Ahmeti, me një roman për dashurinë

Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, është promovuar romani “Tutori” i Mimoza Ahmetit. Parathënia e këtij libri është shkruar nga Aurel Plasari.

Ashtu si te romani i parë i autores, “Arkitrau”, ose tek i dyti, “Gruaja halucinante”, edhe te ‘Tutori’ ndeshesh me iluzionin e asaj që quhet prozë autoreferenciale. Pra, mund të gënjehesh. Sepse, në të tri romanet e autores operohet me një skenar të menduar mirë fantastik dhe/ose parodik. Parodizimi i rrëfimit romantik është i pari. Si e zbritur nga lartësitë e antiromanit, autorja rezulton e vetëdijshme që rrëfimi i saj nuk qenkësh veçse “antirrëfim”.


“Dhe në një antirrëfim të tillë tekstet funksionojnë si lojë ikjeje: nga realja në fiksion dhe, vetëkuptohet, nga fiksioni te realja. Si për ta përforcuar edhe më sugjestionin e njëkohësisë, edhe zhvendosja nga fiksioni në fiksion ndodh rëndom në tekstet e autores. Për ta shpënë në skaj këtë antirrëfim, edhe në këtë roman të ri Mimoza Ahmeti as që ka marrë mundimin të lypë ndihmë nga paralajmërimi tanimë tinëzar “Çdo ngjashmëri me ngjarje ose persona realë është e rastit”, shkruan Plasari.

Për shkrimtarin Ylljet Aliçka, Mimoza Ahmeti është një poete e lindur, është shkrimtare e surprizave dhe del gjithmonë atje ku nuk e pret.

Ndërkaq, Ahmeti tha: “Romanet tona janë romane të cilat horizontojnë sistemin dhe shkojnë krah për krah tij me disa diskurse të vogla subjektive. Kemi një tranzicion që s’po merr fund në vendin tonë, ka lënë pasoja të rënda në shpirtrat tanë, të cilat duke shkruar dhe duke reflektuar them që ne do ti lehtësojmë dhe do të bashkohemi në atë pikë që ta bëjmë jetën më të lehtë dhe të ndritshme”. /Shqip/