eksperti-banner

Moti më i ngrohtë i nxit njerëzit të dalin jashtë dhe të shijojnë diellin, por shpesh nuk janë vetëm. Temperaturat e larta sjellin gjithashtu një rritje të numrit të milingonave.

Pasi milingonat shfaqen në shtëpi, ato mund të jenë të vështira për t'u larguar. Ato ndjekin gjurmë aromatike dhe, sapo të gjejnë një burim ushqimi, vazhdojnë të kthehen vazhdimisht.


Ndërsa shumë pronarë shtëpish zakonisht përdorin pluhura ose spërkatës kimikë, ekziston një metodë tjetër që mund të prishë gjurmët aromatike të milingonave dhe t'i bëjë ato më pak të prira të vendosen në shtëpinë tuaj. Pudra e bebeve mund të ndihmojë në mbajtjen larg të milingonave pa pasur nevojë për produkte të specializuara.

Glen Peskett, ekspert i punimeve DIY nga kompania Saxton Blades Multi Tools, tha:

“Milngonat ndjekin gjurmë aromatike, kështu që kur njëra gjen ushqim, ajo lë një lloj rruge që pjesa tjetër e kolonisë ta ndjekë.

Ideja e përdorimit të pudrës së bebeve është se ajo mund t'i çrregullojë këto gjurmë dhe ta bëjë më të vështirë për milingonat të gjejnë rrugën për t'u kthyer. Ajo nuk do t'i zhdukë plotësisht dhe as nuk do të zgjidhë një infestim të madh, por disa njerëz kanë vënë re se ndihmon në zvogëlimin e numrit të milingonave në vende të caktuara.”

Ai shtoi se kjo është “një nga ato truket e vjetra që rikthehet çdo verë”, por që mund të jetë e dobishme.

Gjithçka që duhet të bëni është të spërkatni lehtë pudër bebesh në pikat ku dyshohet se milingonat hyjnë në shtëpi, si te kornizat e dritareve, përgjatë listelave të dyshemesë dhe te pragjet e dyerve.

Kjo krijon një pengesë fizike dhe aromatike që i huton milingonat.

Mënyra më e mirë për ta mbajtur shtëpinë pa milingona është ta mbani sa më të pastër. Milingonat tërhiqen nga ushqimi, prandaj pastroni menjëherë çdo derdhje ushqimi ose pijeje dhe nxirrni rregullisht mbeturinat.