Milani mëson shkallën e lëndimit të Pulisic

Gjendja e Christian Pulisic do të rivlerësohet pas dhjetë ditësh, por sipas Gazzetta dello Sport, ylli i Milanit mund të mos kthehet në fushë para Derby della Madonnina kundër Interit më 23 nëntor.
Ylli i Milanit, Pulisic, mund të qëndrojë jashtë fushave për më shumë se një muaj për shkak të një dëmtimi në muskujt e pasëm të kofshës, të pësuar gjatë grumbullimit me përfaqësuesen e SHBA-së në fillim të këtij muaji.
Pulisic iu nënshtrua testeve mjekësore të premten, kur Rossonerët konfirmuan një dëmtim të shkallës së ulët në muskujt e pasëm të kofshës së djathtë.
Milani gjithashtu bëri të ditur se amerikani do të rivlerësohet pas rreth dhjetë ditësh, por Gazzetta sugjeron se rikuperimi i tij mund të zgjasë më shumë.
Sipas raportit, Pulisic do të mungojë me siguri në tre ndeshjet e ardhshme kundër Fiorentinës, Pisës dhe Atalantës, dhe ka pak gjasa të jetë i disponueshëm për ndeshjen në shtëpi kundër Romës më 2 nëntor.
Teorikisht, Pulisic mund të rikthehet për ndeshjen në transfertë kundër Parmës më 8 nëntor, por ai duhet të jetë plotësisht i rikuperuar, pasi Milani nuk do të marrë asnjë rrezik, veçanërisht përpara një tjetër pushimi ndërkombëtar.
Kjo do të thotë se ish-ylli i Chelseat dhe Borussia Dortmund mund të mungojë në të gjitha ndeshjet e Milanit para pushimit të ardhshëm ndërkombëtar, duke u rikthyer në fushë pikërisht në Derby della Madonnina kundër Interit më 23 nëntor./Telegrafi/

















































