LAJMI I FUNDIT:

Milan do të largojë tetë lojtarë në fund të sezonit?

Milan do të largojë tetë lojtarë në fund të sezonit?

Milan do të fillojë revolucionin në skuadër, duke i lejuar tetë lojtarë të largohen në fund të sezonit, ka bërë të ditur Gazzetta dello Sport. I pari që do të largohet, do të jetë legjenda Paolo Maldini, i cili do të pensionohet 23 vite e gjysmë pas debutimit me këtë klub, në janarin e vitit 1985.

Ronaldo po ashtu do të largohet, pasi që gjatë verës skadon kontrata e tij dhe udhëheqja e Milanit refuzon t’i ofrojë një ripërtëritje të saj, pas problemeve të vazhdueshme me lëndimet që e kanë lejuar brazilianin të luajë vetëm një herë gjatë këtij sezoni.

Tifozët e klubit do të ishin të gëzuar që të largohet edhe portieri i lëshimeve, Nelson Dida. Sidoqoftë, mungesa e një alternative tjetër do ta detyrojë klubin ta vazhdojë qëndrimin e tij deri në qershor, kur ai do të zëvendësohet, sipas të gjitha gjasave, nga portieri i Fiorentinës, Sebastien Frey.

Edhe një numër i mbrojtësve veteranë po ashtu pritet të lëshojnë klubin. 37-vjeçari Cafu, nënshkroi vazhdim njëvjeçar të kontratës gjatë verës, sidoqoftë ky me siguri do të jetë edhe rinovimi i fundit. Edhe një brazilian, Serginho, i cili mbush 37 vjet në qershor, do të largohet pas nëntë vitesh të kaluara në klub, megjithëse ende dëshmon se ka ritmin për të luajtur.


Mbrojtësi i majtë Giuseppe Favalli ka kontratë me kampionin evropian deri në vitin 2009, por ai tashmë është tepricë për nevojat e klubit dhe mbase vështirë se do të shohë kontratën e tij të plotësohet në tërësi.

Mbrojtësi kroat, Dario Simic, i cili pritet të huazohet tek Lazio për pjesën e mbetur të sezonit, po ashtu do t’i shitet klubit, i cili do t’i ofrojë atij vend në formacionin e parë.

Dhe së fundi, edhe francezi Yoann Gourcuff, lojtari që etiketohej nga disa si Zinedine Zidane i ri, i është thënë nga trajneri Carlo Ancelotti se nuk ka të ardhme me rosonerët.