Mikrofonat përreth fushës kapin bisedën mes Tuchelit dhe Wernerit: Strategu i Chelseat i acaruar me sulmuesin

Thomas Tuchel ishte tejet i acaruar me Timo Wernerin në takimin që Chelsea e zhvilloi të hënën përballë Evertonit.
Me mikrofonat e vendosur afër vijave të fushës, trajneri gjerman u dëgjua duke kritikuar sulmuesin për shanset e humbura.
Werner kishte një moment habie për 15 minuta, pasi nuk dinte se a luante në krah apo në qendër të sulmit.
Trajneri i The Blues nuk ishte i kënaqur me veprimet e bashkëkombësit të tij, duke i kërkuar atij që të jetë më i vëmendshëm në fushë.
“Timo, edhe për sa gjatë do të luash nga e majta? Duhet të shkosh nga e djathta. Ke luajtur për 15 minuta nga e majta. A po kupton?”, dëgjohet Tuchel duke e kritikuar sulmuesin.
Ato kritika nuk është se e ndihmuan shumë Werner, mirëpo Chelsea mori fitore 2-0 ndaj Evertonit në Stamford Bridge.
Golat për blutë e Londrës i shënuan Kai Havertz dhe Jorgino, me gjermanin që ishte i përfshirë në të dyja rastet. /Telegrafi/


















































