LAJMI I FUNDIT:

Mehmeti dhe përfaqësuesit e BQK-së përfunduan pjesëmarrjen në takimet pranverore virtuale të FMN-së dhe BB-së

Mehmeti dhe përfaqësuesit e BQK-së përfunduan pjesëmarrjen në takimet pranverore virtuale të FMN-së dhe BB-së

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka marrë pjesë në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, që edhe këtë vit, për shkak të pandemisë Covid-19 u organizuan nga distanca.

“Në takimet pranverore, të cilat u zhvilluan nga data 5 deri më 12 prill 2021, Guvernatori Mehmeti dhe përfaqësuesit e BQK-së morën pjesë në takim me Drejtorin e Departamentit për Evropë të FMN-së, Alfred Kammer, me të cilin u diskutua për zhvillimet e fundit ekonomike, fiskale dhe financiare, si dhe lidhur me planet dhe pritjet për vitin 2021.

Për këto zhvillime, u diskutua edhe në takimin me ekipin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën. Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti informoi përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me gjendjen në sistemin financiar të vendit”, thuhet në njoftimin për media.

Përfaqësuesit e BQK-së zhvilluan takim edhe përfaqësues të FMN-së, përkatësisht me Departamentin e Politikave Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit, ku u diskutua lidhur me procesin e zbatimit të rekomandimeve të dala nga asistencat e mëhershme teknike të FMN-së. Në këtë takim u shpreh edhe interesi për përkrahje në të ardhmen, për fushat me rendësi për BQK-në.

Guvernatori Mehmeti dhe përfaqësuesit e BQK-së morën pjesë edhe në takimin plenar të Komitetit Monetar Financiar Ndërkombëtar të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku u diskutuan tema të ndryshme që kanë të bëjnë me adresimin e pandemisë, promovimin e rimëkëmbjes së qëndrueshme gjithëpërfshirëse dhe ringjalljen e bashkëpunimit global.

Guvernatori Mehmeti mori pjesë në takimet e ndara të Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Konstituencës së Bankës Botërore, pjesë e të cilave është edhe Republika e Kosovës, si dhe në takimin e organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar me temën perspektiva dhe sfidat e politikave për Evropën.

Gjithashtu, të hënën Guvernatori Mehmeti do të mbajë takim virtual me zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Anna Bjerde, me të cilën do të diskutohet për zhvillimet e fundit ekonomike, fiskale dhe financiare, si dhe për reformat dhe projektet e ardhshme.

Takimet pranverore të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, bashkojnë bankierët e bankave qendrore, ministrat e financave, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademikëve për të diskutuar çështjet e financave të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe ato të sistemit financiar botëror. /Telegrafi/