LAJMI I FUNDIT:

MD dhe IFC nënshkruajnë marrëveshje për siguri të investitorëve dhe qasje në kredi

MD dhe IFC nënshkruajnë marrëveshje për siguri të investitorëve dhe qasje në kredi

Në përpjekje për të përmirësuar procedurat vendore të falimentimit dhe ngritur efikasitetin e sistemit të zgjidhjes së borxhit në Kosovë, Ministria e Drejtësisë dhe IFC (International Finance Corporation) sot kanë nënshkruar marrëveshjen bilaterale, për zhvillimin dhe përmirësimin e kornizës ligjore, e cila rregullon falimentimin dhe rritjen e kreditimit.

Zëvendësministrja e këtij dikasteri Nita Shala theksoi se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje ministria e Drejtësisë dhe IFC po i bashkojnë forcat për të mbështetur kornizën dhe praktikat e falimentimit.


Ajo tha se kjo marrëveshje do të ndihmojë në forcimin e rrugës për zgjidhjen e kredive joperformuese, rritjen e kthimit te kreditorët dhe ruajtjen e bizneseve të qëndrueshme.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, I bashkojmë forcat me IFC-në që të promovojmë një mjedis miqësor për bizneset private duke krijuar një rrjet sigurie për ta dhe investitorët, dhe njëkohësisht rrit qasjen në kredi. Forcimi i legjislacionit të falimentimit, dhe përmirësimi i sistemit të zgjidhjes së borxhit është një nga elementet e rëndësishme për të përmirësuar klimën e biznesit… Si rrjedhojë me synim për të krijuar mjedis afarist që është në gjendje të mbajë investimet kapitale dhe të tërheq ato të reja, do të punojmë me IFC-në për të përmirësuar kornizën ligjore”, tha ajo.

Ndërsa, Ary Naim menaxher rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore tha se duke pasur parasysh se regjimet efektive të falimentimit janë tiparet kryesore të një ekonomie moderne të tregut, qëllimi i IFC është të nxitë mekanizmat e falimentimit në Kosovë, duke promovuar zgjidhje jashtë gjykatës dhe procedurave të përshpejtuara të ristrukturimit.

“Investimi në klimën biznesore do t’i ndihmon kompanitë e Kosovës për të pasur mundësi të ndryshme. Prandaj, që të kemi një bazë të mirë për falimentim, është shumë e rëndësishme kjo marrëveshje. Sepse bizneset kur merren me falimentim do t’i ndihmonte ato që t’i kthehen biznesit dhe t’i mbrojnë punëtorët. Gjithashtu kjo do t’i ndihmojë ata edhe në lidhje me financat. Kështu sistemi i drejtësisë do t’i mënjanonte ngarkesat në gjykatë. Pra, në këtë mënyrë do të ishte zgjidhje për proceset jashtë gjyqësore”, theksoi ai, raporton Kp.

Projekti do të zbatohet në partneritet me qeverinë e Zvicrës, e përfaqësuar nga Sekretariati Zviceran për Çështjet Ekonomike(SECO).