LAJMI I FUNDIT:

Mbrojtja e Evropës dhe virusi (2020)

Mbrojtja e Evropës dhe virusi (2020)

Presidenti i Serbisë e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Serbi. Presidenti i Kosovës po ashtu shpalli dëshirën për me e shpallë të njëjtën gjendje edhe në Kosovë, sikurse homologu i tij me të cilin para pak ditësh e kanë kapur kamerat duke biseduar, duke e mbuluar gojën me dorë, sigurisht për të penguar përhapjen e virusit. Arsyet përse e mbanin dorën para gojës derisa bisedonin kokë më kokë, i kishim kuptuar krejt gabimisht. Po mendonim se ishin duke zhvilluar bisedime të fshehta.

Kështu çuditshëm, virusi i cili po i kalon kufijtë edhe përkundër mbylljes së tyre, edhe përkundër gjendjes së jashtëzakonshme, po bëhet aleat i tyre, që po i fuqizon. Virusi po ua jep pushtetin absolut atyre që nuk arrinin ta kenë në një shoqëri demokratike. Virusi e mundësoi që të urdhërohet izolimi i qyteteve, rajoneve, fshatrave, të ndalen autobusët ndërurban, të futet ora policore në shumë shtete të cilat vetëm disa javë më parë as që mund të imagjinonin diçka të tillë. Virusi i dha pushtet shtetit edhe të ndërhyjë në familje, të kërkojë të izolohen pjesëtarët e infektuar.


Edi Rama, për dallim, është vetizoluar në shtëpinë e tij dhe përmes video-mesazheve dhe video-konferencave po qeverisë me shtetin, madje me popullin drejtpërdrejtë. Ai është bërë maskota e regjimit të ri viral. Ai është shndërruar në virus i cili po e prek vet ADN-në sociale të shqiptarëve. Po i riedukon. Edi kryeministër, kryemjek, kryepsikiatër. Edi gjithçka, Edi vet. I pakrahasueshëm me ndonjë tjetër ndër shqiptarët. Arriti atë që as Enver Hoxha nuk e kishte arritur, duke ju falënderuar virusit. I mbylli gjithë kufijtë dhe natyrisht askush në Shqipëri nuk ha bar si thoshte Enveri, edhe pse shumë prej tyre mund të “pinë” barë. Performansa e tij, në ujdhesën e quajtur Shqipëri, është perfekte. E edukon dhe argëton masën, ëndrra universale e socialistëve.

Ndërkohë, presidenti serb pret së shpejti që një aeroplan i “AirSerbia” të sjell nga Pekini një ekip ekspertësh kinezë për të ndihmuar në luftimin e virusit, i cili fillimisht e goditi pikërisht Kinën dhe për këtë arsye presidenti Trump e quajti “Virusi Kinez”.

Presidenti kosovar nuk dihet se nga kush pret ndihmë, por gjithsesi duket se e ndien mungesën për kohën kur e argëtonte masën dhe e luftonte armikun e brendshëm. Por, situata është emergjente, jo vetëm për shkak të virusit. Shumë armiq ja kanë mësyrë Evropën dhe, pos virusit i cili doli së fundmi, Evropa rrezikohet edhe nga refugjatët të cilët e kanë vërshuar, kanë thyer vende-vende kufijtë e hekurt të Greqisë dhe po enden rrugëve dhe maleve të Ballkanit për të mbijetuar. Mes tyre mund të ketë edhe njerëz me detyra ose synime për të ndryshuar Evropën. Një grup refugjatësh, papritmas përfundoi këto ditë edhe në Magure dhe u stacionuan buzë një përroske duke i shqetësuar kështu banorët vendas, duke trokitur në dyert e tyre.

Rrezik paraqet edhe Rusia e cila mendohet se vazhdimisht ëndërron të njëjtën ëndërr, të kthehet së paku deri në Berlin dhe në Ballkan gjithsesi. Krejt është komplikuar. Kundër këtij rreziku dhe rritjes së ndikimit rus, sidomos në Ballkan, në Evropën qendrore dhe në Skandinavi, Pakti veriatlantik, tashmë është duke zhvilluar ushtrimin ushtarak, përmasash të jashtëzakonshme, me emrin “Mbrojtja e Evropës 2020” në të cilin marrin pjesë edhe 20 mijë ushtarë amerikanë të cilët në fund të ushtrimit do të arrijnë kufijtë e Rusisë, bashkë edhe me 17 mijë ushtarë nga vendet e tjera të NATO-s.

Ky ushtrim, i cili zgjatë disa muaj, parasheh testimin jo vetëm të infrastrukturës, por sidomos të strukturës së sigurisë nëpër vendet e Evropës dhe jo vetëm ato, por edhe gjithë administratës shtetërore të vendeve nëpër të cilat do të zhvillohen ushtrimet. Prandaj, në Kosovë lufta po bëhet për kontrollin e strukturave të sigurisë dhe vetë qytetarëve në këtë periudhë kur edhe qytetarët do të jenë pjesë e testit. Virusi është një armik i cili e ka mobilizuar kontinentin. Ishte rastësi apo vetëm befasi për qytetarët dhe shtetet?

“Asgjë nuk guxon të na befasojë”, ishte emërtimi i një ushtrimi ushtarak, në ish-Jugosllavi, i cili sipas barsoletës ishte shtyrë për shkak të shiut. Për dallim, ushtrimi ushtarak masiv i NATO-s nuk u shty. Koha e tregoi se as pandemia e virusit COVID-19, nuk e befasoi Perëndimin. Ndoshta e ka kalkuluar si rrezik.

Risi është se bashkë me ushtarët dhe komandën klasike të NATO-s, një armatë e paarmatosur me armë ushtarake, është ngritur në këmbë dhe po lufton armikun nëpër Evropë. Po e lufton virusin i cili e rrezikon qytetarët e zakonshëm, por edhe ata të veshur me pushtet. Mesazhi është i qartë: të gjithë jeni të rrezikuar!

Armata e punonjësve shëndetësorë është shndërruar në pararojën e kësaj lufte të pashpallur, ku “armiku” është i padukshëm në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, edhe pse në parim krijon pak a shumë të njëjtat dëme si një sulm ushtarak. Virusi duket si armë e përsosur, sepse e mund armikun pa shkatërrime të infrastrukturës. Komandantët e ri janë me mantele të bardha dhe ata janë në krye të menaxhimit të krizës.

Në rregull, këtë luftë me virusin do ta fitojmë. Organizmi ynë dhe organizimi ynë ka fuqi me e mundë atë. Por, si do t’ia bëjmë me komandantët e ri? Në zgjedhjet e ardhshme kandidatët kryesorë për ekzekutiv do të jenë nga personeli shëndetësorë, heronjtë e luftës së fundit 2020.

Një mesazh në rrjetet sociale e hap këtë shqetësim. Pas koronavirusit, doktorët do të na bëhen si komandantët pas lufte, kur privilegjet e tyre i arsyetonin me fjalët se kur ata luftonin, ne qytetarët rrinim në shtëpi. Na presin edhe 20 vite me komandantët e rinj në pushtet?

Prandaj, kryeministri Rama, po e udhëheq virtualisht luftën kundër virusit, i vetëm. Ai do të jetë heroi i vetëm. Po te ne?