LAJMI I FUNDIT:

Mbrohen në heshtje zyrtarët e Aeroportit, Prokuroria kërkon aktgjykim dënues ndaj tyre

Mbrohen në heshtje zyrtarët e Aeroportit, Prokuroria kërkon aktgjykim dënues ndaj tyre

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, katër zyrtarët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të mbrohen në heshtje. Kurse, në fjalën përfundimtare Prokuroria kërkoi dënimin e tyre, e mbrojtja lirim nga akuza.

Në këtë rast, Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj dhe Martin Biserov-Alekov po akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, veprim që pretendohet të jetë kryer në bashkëkryerje.

Në këtë seancë u dëgjua dëshmitari Valon Lupqi, i cili në kohën kur pretendohet se ka ndodhur rasti, ishte i angazhuar në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit në shërbimin e skenimit në Aeroportin e Prishtinës.


I pyetur se çfarë kishte ndodhur në ditën kritike, ai tha se ai nuk kishte qenë prezent në vendin konkret, ku pretendohet se ka ndodhur ngjarja.

“Në fakt, për rastin që është duke u gjyku me valixhe, unë nuk kam qenë prezent në vendin konkret, ngase vendi im i punës është te kontrolla e udhëtarëve dhe çantat kontrollohen dy kate më poshtë”, tha dëshmitari Lupqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai thotë që pasi që është telefonuar nga i akuzuari Faton Gurguri, lidhur me atë se dikush prej punëtorëve po lëshon çantat në pajisjen VIS HR pa i kontrolluar, Lupqi kishte kontaktuar me zëvendësmenaxherin, Ilmi Lushtaku.

Prokurori Besnik Jakupi e pyeti nëse çantat kishin kaluar pa iu nënshtruar kontrollës së skanerit, kurse dëshmitari u përgjigj se nga ajo se çfarë i është thënë nga Lushtaku, çantat janë kontrolluar.

“Sipas informatës që kam marrë unë prej zëvendësmenaxherit, janë kontrollu valixhet e pakontrolluara”, shtoi ai.

Po ashtu, në seancë u dëgjua edhe dëshmitari Ilmi Lushtaku, i cili në kohën kur ka ndodhur ngjarja ishte zëvendësmenaxher i sigurimeve skenike. Ai tregoi që në ditën kritike ishte organizuar një grevë nga punëtorët e Aeroportit.

Lushtaku tha se nuk i kujtohet nëse tani të akuzuarit kanë qenë pjesë e grevës, pasi që greva ka qenë e përgjithshme.

“Nuk më kujtohet nëse të pandehurit kanë qenë në grevë apo jo. Nuk kam pas informata. Atë ditë ka qenë e shpallur greva, dikush e ka majt, dikush jo”, shtoi tutje dëshmitari.

Kur u pyet se çfarë kishte ndodhur atë ditë me valixhet dhe pse nuk janë skanuar, dëshmitari tha se në momentin që është informuar për to, kishte shkuar për të siguruar që ato do të kontrollohen.

“Lidhur me disa valixhe, unë jam informuar nga udhëheqësi i ndërrimit që poshtë janë disa valixhe të grumbulluara dhe kur kam shku poshtë jam siguru që të gjitha valixhet janë kontrolluar. Janë kontrollu përsëri kur janë kontrolluar për herë të parë”, tha Lushtaku.

Përgjegjës për skanimin e valixheve, dëshmitari tha se kishin qenë tani të akuzuarit.

Gjithashtu, në këtë seancë u bë admininstrimi i provave, të cilat mbrojtësit e të akuzuarve i kundërshtuan në kuptim të mbrojtjes.

Më pas, u dhanë edhe fjalët përfundimtare nga palët në procedurë, ku prokurori Jakupi tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar që në veprimet e të akuzuarve janë manifestuar elementet e veprës penale për të cilën akuzohen.

Prokurori i propozoi Gjykatës që ndaj të pandehurve të shpallet aktgjykim dënues.

Ndërsa, përfaqësuesja ligjore të aeroportit- Leonora Fejzullahu, deklaroi që nuk konsiderohet palë e dëmtuar në këtë proces dhe që mirëmbajtja e valixheve ka shkuar në përputhje me rregulloren e aviacionit.

“Nuk jemi palë e dëmtuar, nuk konsiderojmë se ka vepër penale, pasi që nuk pasur asnjë incident në ditën kritike. Mirëmbajtja e të gjitha valixheve ka shkuar në mënyrë të rregullt në përputhje me Rregulloren për sigurimin e aviacionit”, tha tutje Fejzullahu.

Kurse, mbrojtësi i Gurgurit, avokati Sevdali Zejnullahu tha që edhe pas administrimit të provave nuk janë vërtetuar pretendimet e Prokurorisë lidhur me fajësinë e të mbrojturit të tij. Ai i propozoi Gjykatës që të ndaj të mbrojturit të tij të shpallet aktgjykim lirues.

Po ashtu, edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë: Shpetim Sadiku (mbrojtës i Endi Bujupit), Adnan Pacolli (mbrojtës i Visar Xhekajt) dhe Shkodran Manaj (mbrojtës i Martin Biserov-Alekov), deklaruan që nuk është vërtetuar fajësia e klientëve të tyre dhe kërkuan nga Gjykata aktgjykim lirues.

Ndryshe, më 26 qershor 2020 Gurguri, Bujupi dhe Xhekaj ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen në barrë, kurse më 10 shtator 2020 po ashtu i pafajshëm ishte deklaruar edhe Biserov-Alekov.

Lënda në këtë rast është gjykuar nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj në shqyrtime fillestare, por tashmë ka kaluar të gjykatësi Gëzim Ademi pasi që Kuka-Mekaj vijon punën si gjykatëse në Gjykatën Themelore në Pejë, kurse lënda duhet gjykuar në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 prill 2020, të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtarë të licencuar operatorë për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov-Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikës dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se më 18 gusht 2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve të këtij aeroporti, në pjesën ku ishte bërë monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të akuzuarit Gurguri dhe Bujupi nuk e kishin monitoruar punën e pajisjeve në monitor, ndërsa Xhekaj nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.

Për shkak të këtyre mosveprimeve, thuhet se valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të operatorëve X-Ray.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Biserov-Alekov, si mbikëqyrës i pajisjeve që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kishin ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar trakën që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili hyn në funksion vetëm në rastet rezervë.

Kështu, aktakuza thotë se 99 bagazhe kishin kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të akuzuarit Biserov-Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuara dhe po ashtu ishin ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara, të cilat ishte dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray.

Katër të akuzuarit me këto veprime, sipas Prokurorisë, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Prokuroria katër të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohet organizatori i vrasjeve të shqiptarëve në Ekuador, krahu i djathtë i Dritan Rexhepit

Zbulohet organizatori i vrasjeve të shqiptarëve në Ekuador, krahu i djathtë i Dritan Rexhepit

Lajme
Peci: Ardhja e Sekretarit të NATO-s në Kosovë nuk është e rastësishme

Peci: Ardhja e Sekretarit të NATO-s në Kosovë nuk është e rastësishme

Siguri
Përfundon numërimi i votave, KQZ mund të procedojë me certifikimin e rezultatit përfundimtar

Përfundon numërimi i votave, KQZ mund të procedojë me certifikimin e rezultatit përfundimtar

Lajme
Sejdiu: Glauk Konjufca është lideri i ardhshëm i Vetëvendosjes

Sejdiu: Glauk Konjufca është lideri i ardhshëm i Vetëvendosjes

Politikë
Zbulohet si Dritan Rexhepi hyri në Ekuador në vitin 2011 dhe aleanca me mafien italiane

Zbulohet si Dritan Rexhepi hyri në Ekuador në vitin 2011 dhe aleanca me mafien italiane

Lajme
Ishte dënuar për “shtëpi bari”, si i shpëtoi ekstradimit “lordi” shqiptar i drogës në Angli

Ishte dënuar për “shtëpi bari”, si i shpëtoi ekstradimit “lordi” shqiptar i drogës në Angli

Kalo në kategori