LAJMI I FUNDIT:

Mblidhen tri komisione parlamentare

Mblidhen tri komisione parlamentare

Në kalendarin e takimeve, sot janë parapara tri mbledhje të tri komisioneve të ndryshme parlamentare.

Prej orës 10:00 është paralajmëruar takimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa ku do të diskutohen mbi 7 pika të rendit të ditës.

Ndër to është edhe shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe shqyrtimi i raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2019.


Prej orës 11:00 do të mblidhet edhe Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ku do të bëhet shqyrtimi i raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2018.

Gjithashtu në këtë komision do të shqyrtohet raporti i performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2017 si dhe votimi i vendimit të Qeverisë me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës”.

Ndërsa prej orës 13:00 do të mblidhet Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ku do të bëhet shqyrtimi i raportit me amendamente për Projektligjin për ndryshimin e ligjit për financimin e subjekteve politike./kp/