Mbikalimet dhe nënkalimet në Prishtinë, të ndërtuara për të garantuar kalimin e sigurt të qytetarëve, prej vitesh po përballen me mungesë mirëmbajtjeje.

Shumë prej tyre janë bërë të papërdorshme për shkak të aromave të pakëndshme, mungesës së ndriçimit dhe problemeve të sigurisë.


Një prej shqetësimeve kryesore mbetet qasja e vështirë për nënat me karroca, të cilat nuk kanë mundësi të ngjiten në mbikalime për shkak të mungesës së infrastrukturës së objektit.



Një tjetër problem që përsëritet janë mbeturinat e shumta që kanë pushtuar këto hapësira, duke krijuar ndotje dhe kundërmime të forta.

Pas ankesave të shumta të qytetarëve, ekipi i Telegrafit vizitoi mbikalimin pranë Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”, zonë kjo e njohur ndryshe si “rrethi me Flamur”.

Pamjet nga terreni tregojnë se ky mbikalim është në gjendje të rënduar – me shkallë të dëmtuara, dysheme të çara, mbeturina të shpërndara dhe persona të pastrehë që qëndrojnë aty gjatë natës.

Përveç mungesës së higjienës, edhe aspekti i sigurisë mbetet shqetësues, pasi hapësirat e dëmtuara mund të paraqesin rrezik për fëmijët dhe kalimtarët.

Telegrafi ka kontaktuar me komunën e Prishtinës në lidhje me mirëmbajtjen e këtij mbikalimi, ndonëse të njoftuar me situatën – nuk kemi marrë përgjigje deri në kohën e publikimit të lajmit.

Për çdo problematikë që përballeni në baza ditor, mund të na shkruani në lokale@telegrafi.com./Telegrafi/