Mbajnë mësim edhe në byfe, MASHT-i qe shtat vjet nuk e përfundoi ndërtimi i objektit shkollor

Nxënësve të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, tash pesë vjet me rradhë u është premtuar se vitin e ri shkollor do ta fillojnë në objektin e ri, i cili është i dedikuar për ta. Por, kjo nuk ndodhi pavarësisht se punimet në ndërtimin e objektit të ri kanë filluar që nga viti 2009.
Përderisa, rreth 1600 nxënës të kësaj shkolle vazhdojnë të zhvillojnë mësimin në kushte jo adekuate, në Ministrinë e Arsimit thonë se ky objekt nuk është përfunduar akoma për shkak të mungesës së buxhetit, duke mos lënë anash as neglizhencën e operatorit ekonomik.
Por, në drejtorinë e shkollës dhe në Drejtorinë e Arsimit në Podujevë thonë se këto arsyetime janë të papranueshme, kur dihet numri i shkollave të ndërtuara nëpër komuna të ndryshme nga investimet e Ministrisë, që nga viti 2009 e deri më tash.
E në tërësi, kostoja e këtij projekti të nisur në kohë fushate ka vlerën 2 milionë e 200 mijë euro, shumë kjo për të cilën rojtari i objekti të ri të shkollës, Ilaz Ademi thotë se Ministria nuk ia ka paguar kompanisë “Ndërtimtari”, e cila në vitin 2009 kishte fituar tenderin për ndërtimin e kësaj shkolle.
Mos përfundimi i këtij objekti, ka bërë që objekti i vjetër i Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” dhe Shkolla Fillore “Enver Maloku” të jenë të stërngarkuara me nxënës, për të cilët hapësira nëpër këto shkolla është e pamjaftueshme. Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Maloku, i cili thotë se nuk e din arsyen e vërtetë të mos përfundimit të këtij objekti, i cili ka filluar të ndërtohet 7 vite më parë.
“Edhe në kohën e fundit e kemi marrë atë përgjigje nga Ministria, por unë ndoshta kisha mund t’i bëjë pyetje Ministrisë së Arsimit, në 2009 ka filluar saktësisht shkolla, sa shkolla i ka ndërtuar Ministria e Arsimit me mjete të vetat, sa shkolla i ka ndërtuar deri më sot, e ka anashkaluar këtë shkollë. Në këtë le të përgjigjen, nuke di pse... Çështja tjetër është që për momentin ai objekt shkollor i ka bllokuar dy shkolla tjera, gjimnazin e kam të stërngarkuar, se është e vërtet se në shtator na është thënë se do të lirohet, dhe ne kemi pranuar 20 paralele në gjimnaz. Po ta dinim se ky objekt nuk do të lëshohet, nuk do të pranonim, në anën tjetër shkolla që është afër është shkolla “Enver Maloku”, e cila po ashtu është e bllokuar, nuk kemi investuar ne qe dy tri vite, duke thënë se do të lirohet. Arsyen e vërtet nuk e di”, tha Maloku.
Maloku më tej tha se ka pasur paralajmërime nga prindërit e nxënësve të shkollës “Enver Maloku”, se do të bojkotohet edhe procesi mësimor në rast se nuk ndërmerret diçka për atë shkollë.
Përderisa nga Ministria e Arsimit thonë se në këtë shkollë 90 për qind e punimeve janë të përfunduara, Drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Maloku thotë se në pjesën e jashtme të objektit ka shumë punë, sidomos në sallën e Edukatës Fizike, ku sipas tij, nuk janë kryer as 10 për qind të punimeve. Ai thotë se nga Ministria e Arsimit i kanë premtuar se do ta penalizojë kompaninë në rast të neglizhencës së punimeve nga ana e tyre.
Arsyen e mos përfundimit të atij objekti nuk e di as drejtori i Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, Naim Salihu, i cili thotë se qe katër vite janë duke pritur të zhvendosen në objektin e ri që është i dedikuar për nxënësit e Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”.
Salihu thotë se kanë marrë premtime nga MASHT që ky objekt do të përfundojë në vitin 2015, por kjo gjë nuk ka ndodhur.
Se kushtet në ato klasë të improvizuara nuk janë aq të mira, përveç nxënësve e thotë edhe drejtori i kësaj shkolle, i cili shton se këto klasë më herët kanë qenë kabinete dhe byfe të shkollës, ndërsa tani në vend të pajisjeve të kabineteve, janë të mbushura vetëm me banka, të cilat gjatë dimrit kanë qenë shumë të ftohta, gjë që ka shkaktuar probleme edhe në zhvillimin e procesit mësimor.
Lidhur me problemin e kësaj shkolle, Asiste nti Personal i Ministrit të Ministrisë së Arsimit, Faton Fetahu, përmes postës elektronike është përgjigjur për KosovaPress duke thënë se në këtë objekt deri tash janë kryer 90 për qind e punimeve.
Sipas tij, indikator kryesor pse ky projekt nuk ka përfunduar akoma është mungesa e buxhetit, duke mos përjashtuar neglizhencën e operatorit ekonomik.
Por, përderisa nga Ministria e Arsimit thonë se nuk kanë pasur buxhet për përfundimin e kësaj shkolle, e cila qe 7 vite ka bllokuar edhe dy shkolla të tjera në Podujevë, në anën tjetër ata sqarojnë se që nga viti 2009 nga investimet e MASHT-it janë përfunduar 86 objekte të tjera shkollore.
KosovaPress ka provuar disa ditë radhazi të kontaktojë me pronarin e Kompanisë “Ndërtimtari”, Avni Mustafa, por sipas rojtarit të shkollës Ilaz Ademi, i cili paguhet nga kjo kompani, ai gjendet jashtë vendit.
E në objektin e vjetër të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, në byfen e cila është shndërruar në klasë, mësimin e vijojnë 31 nxënës, ndonëse hapësira është shumë e ngushtë. Qendresa Zeneli, nxënëse e kësaj klase, thotë për KosovaPress se hapësira është shumë e ngushtë, e gjatë dimrit janë përballur edhe me të ftoftë, por sipas saj vullneti për të mësuar, bën që të tejkalohen këto vështirësi.
Numri i nxënësve në këtë shkolla arrin deri në 1630, të cilët janë të vendosur në 52 klasë mësimi. /kp/




















































