Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së veteranit të arsimit, veprimtarit dhe artistit nga Vushtrria, Nuredin Gubetini.

Sipas njoftimit, kontributi që Nuredin Gubetini ka dhënë në fushën e arsimit, si veprimtar i çështjes kombëtare dhe si artist, është vlerësuar lart nga të pranishmit në këtë mbledhje komemorative, shkruan Telegrafi.


Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë se emri i Nuredin Gubetinit nuk do të harrohet asnjëherë.

“Nuredin Gubetini ishte pjesë e një brezi që nuk u përkul përballë padrejtësisë, që nuk heshti përballë dhunës, por qëndroi i palëkundur në mbrojtje të së drejtës dhe të së vërtetës. Edhe atëherë kur vuajti padrejtësisht, kur u përjashtua, u burgos e u keqtrajtua, ai nuk e ndali misionin e tij – misionin e mësuesit, të atdhetarit, të qytetarit të ndërgjegjshëm. Ishte edhe një artist që me talentin dhe shpirtin e tij i dha Vushtrrisë ngjyrë, zë dhe frymë”, ka thënë Idrizi. /Telegrafi/